Tabaku: Shtresa e mesme në Shqipëri është rrënuar

0
21
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka reaguar me anë të një statusi në rrjetin social “Facebook” ku është shprehur se  shtresa e mesme në Shqipëri është rrënuar.

Gjatë këtyre pesë viteve ka patur rritje të vazhdueshme taksash dhe tarifash, duke filluar nga bizneset e vogla që sot janë masavisht duke mbyllur qepenat e deri tek fitimet e kompanive, shkruan Tabaku.

Ajo thotë se “mbi të gjitha shtresa që është penalizuar maksimalisht gjatë këtyre pesë viteve është shtresa e mesme. Pedagogët, inxhinierët, profesionistët e lirë, mjekët, arkitektët e juristët, pra shtresa e punës mendore, shtresa e zbatimit të dijes është penalizuar më shumë duke u taksuar shumëfish për punën që bën!”.

Ja reagimi i plotë i Jorida Tabakut

Rrënimi i shtresës së mesme!

Gjatë këtyre pesë viteve ka patur rritje të vazhdueshme taksash dhe tarifash, duke filluar nga bizneset e vogla që sot janë masavisht duke mbyllur qepenat e deri tek fitimet e kompanive. Kjo ka penalizuar në masë bizneset e vogla vendase, ka stopuar rritjen e investimeve te huaja si dhe ka ndikuar dhe në buxhetin e familjeve që fatkeqësisht sot është i njëjtë me atë të 10 viteve më parë.

Mbi të gjitha shtresa që është penalizuar maksimalisht gjatë këtyre pesë viteve është shtresa e mesme. Pedagogët, inxhinierët, profesionistët e lirë, mjekët, arkitektët e juristët, pra shtresa e punës mendore, shtresa e zbatimit të dijes është penalizuar më shumë duke u taksuar shumëfish për punën që bën!

Në 2014 hyri në fuqi tatimi më i lartë për punën në rajon dhe më i larti i vendosur ndonjëherë në Shqipëri për punën. Sot kushdo që punon ndershmërisht tatohet deri në 23%. Ka biznese të vogla me tatim më të ulët, ka dhe fitime kompanish që tatohen më ulët, dhe kapitali tatohet më ulët, por jo qeveria e Edi Ramës vendos të ketë tatimin më të lartë për PUNËN!

Një tjetër dhuratë që qeveria u kujdes t’i bënte shqiptarëve është ajo e rritjes së pagës maksimale, efekti i së cilës do të bie mbi rritjen e sigurimeve shoqërore më shumë se sa në rritjen e të ardhurave. Konkretisht, vendosja e pagës maksimale prej 150 mijë lekësh përkthehet në një rritje të detyrimeve për sigurime dhe shpenzimet e biznesit.

Jo vetëm kaq, për një të vetëpunësuar në biznesin e vogël shpenzimet e tij për të paguar do të rriten me 7152 lekë/vit. Pra, një shitore në lagje apo një i vetëpunësuar në një këpucari do t’i duhet të shpenzojë 7152 lekë më shumë në vit ndërkohë që përveç kësaj do t’i duhet të përfshihet edhe në skemën e TVSH-së.

Ndërkohë që kostot e një të punësuari do të rriten me rreth 10% të pagës (vjetore). Në total, një biznesi të madh kostot e shtuara nga kjo lëvizje e ditëve të fundit të qeverisë do t’i kushtonte shtrenjtë. Nëse marrim në referencë vetëm biznesin e call center (që punëson shumicën dërrmues të të rinjve në vend), kjo kosto ndikon në rritjen e shpenzimeve me rreth 30 mijë eurove në muaj. Çfarë do të thotë kjo? Që biznesi për të paguar këtë kosto që i lindi vetëm në datë 30 dhjetor do t’i duhet të ulë shpenzimet e pagave (duke ulur pagat) apo duke larguar të punësuarit.

Në të vërtetë qeveria as nuk ka menduar për shqiptarët edhe as për të pamundurit madje as për punonjësit. Bizneset e vogla me të vetëpunësuar do të paguajnë më shumë, bizneset do të detyrohen të shkurtojnë punonjësit apo do të ulin pagat për t’u përmbajtur shpenzimeve.

Këto zgjedhje nuk rrisin konsumin dhe as nuk ulin hendekun mes të varfërve dhe të pasurve. Nuk prodhon mobilitetin social por janë vetëm nisma propagandistike që i bëjnë dëm punës. Taksa prograsive e vrau punën dhe shtresën e mesme (profesionet e lira gjithashtu) ndërkohë që krijoi terrenin për varfërimin e mëtejshëm të shtresës së mesme. Kjo lëvizje e fundvitit prodhon një tjetër goditje për punën dhe biznesin duke e thelluar edhe më tej krizën e punës, pagave, konsumit dhe rritjes ekonomike.

 

Zjarr Tv Ad