Takimi i papritur i Lajçak me Albin Kurtin, Qeveria e Kosovës tregon çfarë bisedoi kryeministri me të dërguarin e BE

0
20
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Besnik Bislimi, pritën në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Gjatë takimit u theksua vullneti dhe gatishmëria që tashmë e ka treguar Republika e Kosovës, për t’u angazhuar në një dialog parimor e të balancuar me Serbinë nga i cili përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, njofton kabineti qeveritar.

Kryeministri Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme me njohjen reciproke në qendër.

“U bisedua për vazhdimin e procesit të bisedimeve në Bruksel dhe për përgatitjet e takimeve të radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Bislimi, falënderuan z. Lajçak për angazhimin e tij të vazhdueshëm në këtë proces”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Ndërkohë, vetë i dërguari i Bashkimit Europian tha se diskutimet ishin të dobishme dhe ka mohuar se ka kornizë të re të dialogut, të cilën e ka përmendur presidenti serb Aleksandar Vuçiç. Ai tha se është habitur kur ka dëgjuar për këtë.

“Erdha në Prishtinë për të vazhduar diskutimet me kryeministrin Kurti lidhur me normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Lajçak. “Po ashtu takova edhe zv/kryeministrin Bislimi me të cilin folëm rreth çështjeve aktuale të lirisë së lëvizjes, personave të pagjetur dhe energjisë”.

Lajçak u shpreh se BE-ja dëshiron të sigurohet që të gjejë zgjidhje të cilat shmangin tensionet dhe eskalimin. “Kishim diskutime të dobishme dhe ato do të vazhdojnë”, vijoi i dërguari i BE.

Zjarr Tv Ad