Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, në një konferencë për media pas takimit më këshillin e sigurisë ka bërë të ditur atë se çfarë ka biseduar me këshilltarët e Macron dhe Scholz dhe se ajo s’ka qenë e lehtë.
Vuçiç gjithashtu ka treguar se ka marrë nga dy këshilltarët një propozim për një kornizë krejtësisht të re për bisedimet në Bruksel, e cila siç ka thënë presidenti serb duhet të çojë tek zgjidhja përfundimtare me Republikën e Kosovës.
Ai ka treguar se mesazhi i ndërkombëtarëve ka qenë që në situata kur ka një luftë që po zhvillohet në Evropë, nuk ka nevojë për një tjetër konflikt të ri, por për një zgjidhje sa më shpejtë.
“Biseda nuk ishte aspak e lehtë dhe në thelb mund të them disa gjera. Përfaqësuesit e shteteve më të fuqishme evropiane, të cilët theksuan se kanë mbështetjen e SHBA-së dhe Turqisë për këtë, besojnë se në kushtet kur ka një luftë në Evropë, nuk ka nevojë për konflikte të reja dhe se është e nevojshme të arrihet zgjidhja më e shpejtë e mundshme”, është shprehur Aleksandër Vuçiç.