Ministrja e Arsimit, Besa Shahini doli në një komunikim për mediat ditën e sotme, për të informuar lidhur me takimin që pati me një përfaqësi pedagogësh.
“Nuk besoj se bojkoti dhe ultimatumet janë mjetet e nevojshme, ndaj kemi filluar një proces të mirëfilltë dialogu, dhe do të vijojmë rrugën për përmirësimin e eksperiencës studentore”, u shpreh Shahini.
Kjo deklaratë e saj vjen pasi pedagogët i lanë afat deri në mbrëmje ministres, ku në rast të mos mbajtjes së një qëndrimi për kërkesat e tyre, paralajmëruan se mund të shkojnë deri në grevë.
Në këtë drejtim ministrja tha se, një grup pedagogësh i kanë nisur një letër përmbledhëse lidhur me diskutimet që kanë patur me kolegët dhe për këtë shtoi se i ftoi në takim, për përmirësimin e cilësisë së arsimit.
Ajo deklaroi se i përgëzoi pedagogët për përpjekjet e bëra dhe i nxiti që të aktivizojnë asambletë e pedagogëve, pasi sipas saj. nuk janë mbledhur asnjëherë në tre vitet e fundit.
Shahini tha se fuqizimi i strukturave ekzistuese në universitete, është mënyra më e mirë për arritjen e disa zgjidhjeve, duke nënvizuar se zgjidhja nuk është gjithmonë tek ministria, por tek vetë universitetet.
“I ftova për ti ballafaquar dhe shpjeguar Paktin për Universitetin, por edhe pse nuk u dakordësuam në fund, takimi shërbeu për të shuar disa keqkuptime që pedagogët kishin për paktin. Rëndësi ka që shumica e stafeve akademike dhe studentëve janë mbështetës të Paktit për Universitetin, i cili do jetë një kontratë mes qeverisë, stafit akademik dhe studentëve për të çuar përpara idetë më të mira”, tha ndër të tjera ministrja e Arsimit.