Me fytyrën e mbuluar nga një shtresë e trashë kremi pudër, ngjyrë dhe flokët e krehur me kujdes në stilin e presidentit amerikan, imituesi i Donald Trump u takua në Hanoi me kolegun e tij, që ka ngjashmëri befasuese me Kim Jong-un. Sigurisht, ashtu si dhe udhëheqësit që imitojnë, në vëmendjen e tyre kanë qenë ambiciet bërthamore të Koresë së Veriut, e përse jo edhe ndonjë lojë golfi. Trumpi i rremë e kishte marrë shumë seriozisht punën e tij.
“Ne po punojmë për paqen. Përmes negociatave, përmes dialogut duam sigurisht që t’i vijmë në ndihmë Koresë së Veriut”, tha ai, e ndërkohë nuk la pa përmendur edhe pikën e dobët të shefit të Shtëpisë së Bardhë.
“Muri po vjen dhe do të jetë gjigant. Edhe Kina e ka një mur”, tha Russell White, imitues i Donald Trumpit.
Ishte e pamundur të mos qeshej edhe me komentin e imituesit të Kim Jong-unit.
“Do Zoti e mbyll njërin sy përpara raketave të mia bërthamore, e na i heq këto sanksionet”, tha Howard X, imitues i Kim Jong-un.
Takimi i dy imituesve erdhi pak ditë përpara se dy udhëheqësit e vërtetë të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut të shtrëngojnë duart në kryeqytetin vietnamez, gjatë samitit të tyre të dytë, që do të mbahet në datat 27 dhe 28 shkurt.