Testet molekulare, ose siç njihen ndryshe tamponë për koronavirusin, tashme mund të bëhen edhe në laboratorët privatë.
Këtë vendim qytetarët e konsiderojnë të drejtë, megjithëse pak të vonuar duke marrë parasysh numrin e lartë të të infektuarve ditor.
“Vendim i vonuar, çdo njeri kërkon të dijë për shëndetin e vet.”
“Gjë e mirë, shkurtohet koha për ata që duan të lëvizin. Si gjithmonë, në Shqipëri gjërat e vonuara janë.”
Ndërkohë, vetëm qytetarët që lëvizin jashtë Shqipërisë dhe u duhet një analizë koronavirusi mund ta bëjë në privat, por kjo duket se nuk është pritur mirë nga të gjithë.
“Nuk e shoh të arsyeshme.”
Çmimi i tamponit mund të jetë një pengesë për qytetarët.
“Jo, nuk kemi lekë.”
” Më duket shumë, por ai që duhet të lëvizë edhe mund ta pranojë me sforco.”
Në vendimin e komiteti të ekspertëve thuhet se laboratorët privatë do të duhet të përditësojnë të dhënat çdo 24 orë në Institutin e Shëndetit Publik dhe të informojnë për rastet pozitive që mund të konfirmojnë, për tu bërë më pas hetimi epidemiologjik nga Instituti i Higjenës.
Njësoj si testet serologjike edhe analizat molekulare për koronavirus duhet që të miratohen nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.