Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i ka bërë thirrje individëve që kanë dhënë shtëpi me qira që të deklarojnë taksat, pasi në të kundërt do të përballen me masa ndëshkuese.
Përmes një njoftimi zyrtar, administrata tatimore ka paralajmëruar se në bashkëpunim me institucionet e tjera shtetërore do të shfrytëzojë çdo burim informacioni për të gjurmuar transaksionet e qirave dhe ata që nuk deklarojnë taksat.
Sipas ligjit, individët që kanë dhënë apartamente apo prona me qira janë të detyruar që të paguajnë 15% të shumës si tatim mbi të ardhurat. Deklarimi i të ardhurës së përfituar nga qiraja bëhet çdo datë 20 të muajit pasardhës pasi është arkëtuar pagesa.
Sipas procedurave, deklarimet e të ardhurave nga qiraja bëhen në mënyrë elektronike në faqen zyrtare të tatimeve. Pasi dorëzohet deklarata, serveri i tatimeve gjeneron automatikisht urdhër-pagesën, e cila duhet të printohet dhe të paguhet nga individi në sportelet e bankave të nivelit të dytë.
Gjatë muajve të verës, administrata tatimore ka pasur në fokus të kontrolleve subjektet që japin apartamente apo dhoma me qira në zonat turistike të vendit. Por, sipas administratës, kontrollet do të shtrihen në të gjithë territorin e vendit, veçanërisht në qytetet e mëdha ku tregu i qirave është i konsiderueshëm.
Sipas ligjit, për procedurat tatimore fshehja e të ardhurave konsiderohet evazion tatimor dhe përveçse dënohet me gjobë në masën 100% mbi detyrimin e fshehur përbën vepër penale.