Nga data 7 mars 2022, çdo kërkesë për rimbursimin e TVSH-së do të bëhet vetëm online, përmes Platformës Dixhitale të Rimbursimit të TVSH-së. Lajmi konfirmohet nga Drejtoria e Pёrgjithshme e Tatimeve, e cila ka vënë në dispozicion udhëzuesin, që orjenton tatimpaguesit hap pas hapi për mënyrën sesi duhet të përdoret platforma online e rimbursimit.
Sipas DPT-së, një nga objektivat parësorë, që do të realizojë përdorimi i platformës digjitale është eliminimi përfundimtar i kontakteve fizike me punonjësit e administratës tatimore, duke eliminuar çdo mundësi abuzimi, si edhe çlirimi i tatimpaguesve nga dokumentet në letër dhe nga koha e pritjes.
Konkretizimi i këtij projekti të rëndësishëm në funksion të tatimpaguesve vjen si angazhim i pakthyeshëm i qasjes që Administrata Tatimore ka për modernizimin dhe digjitalizimin e shërbimeve publike ndaj tatimpaguesve, që falë platformës online do të kursejnë kohë dhe do të përfitojnë shërbim cilësor.