Tatuazhe në bunker!

0
4

“Në mesin e një lloj stepe në Shqipërinë e veriut, një bunker i vogël betoni shihet në horizont. Është pikërisht ‘studioja’ e Keqit, një artist dikur i dënuar, që e ka shndërruar atë në një dyqan tatuazhesh”.

Kështu e nis agjencia franceze e lajmeve “AFP” reportazhin e saj, që ka në qendër një 53-vjeçar shqiptar, që i ka dhënë jetë një biznesi në një bunker të braktisur të kohës së komunizmit.

“Hera e parë që bëra një tatuazh ishte në burg. Ndoshta në vitin 1992-1993. Më pas fillova të mësoja dhe e bëra për disa persona, edhe për veten time”, tha Keqi Marku.

Brenda bunkerit, artisti i tatuazheve – që njihet nga të gjithë si Keqi, – skicon vizatimet që i shndërron më pas në tatuazhe te klientët e tij.

“Ai, – shkruan AFP, – u largua nga Shqipëria drejt Nju Jorkut kur ishte 18 vjeç, vetëm disa muaj pas vdekjes së Enver Hoxhës, regjimi i të cilit ndërtoi 700 mijë bunkerë në të gjithë vendin. Kur u kthye në Koplik, në vitin 1997, ai bleu një copë tokë, e në të qëlloi edhe një bunker i vogël”.

“Ai bunker është ndërtuar në vitet 1970. U ndërtuan për mbrojtje… Kur u ktheva, u deportova më saktë, bleva tokën dhe bunkeri qëlloi të ishte aty. Ndaj vendosa të bëja diçka me të, ta përdorja për të bërë tatuazhe. I kisha mjetet dhe kështu hapa një lloj dyqani për tatuazhe për miqtë në fillim”, tha Keqi Marku.

Nga koha e tij në burg, në SHBA, ai kujton:

“Isha në vendin e gabuar, në kohën e gabuar”, thotë Keqi.

Dizajnet e zakonshme të Keqit kanë tërhequr tashmë jo pak klientë shqiptarë, por edhe turistë të huaj, që për rreth 30 euro zgjedhin të bëjnë një tatuazh në një vend aspak të zakonshëm.