Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka pritur në një takim në ambientet e Kuvendit anëtarin e Bundestagut Volkmar Klein.
Në fjalën e tij Balla shprehu mirënjohje për CDU/CSU-Bundestagsfraktion për mbështetjen e vazhdueshme të ofruar Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Postimi i plotë i Taulant Ballës:
Kënaqësi të prisja në një takim anëtarin e Bundestagut Volkmar Klein. Mirënjohje CDU/CSU-Bundestagsfraktion për mbështetjen e vazhdueshme të ofruar Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Theksova rëndësinë e përshpejtimit të procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, një vendim-marrje strategjike kjo tashmë e imponuar nga konteksti i ri gjeopolitik pas agresionit rus ndaj sovranitetit dhe popullit të Ukrainës. Përshëndeta vizitën pak ditë më parë të Kryetarit të CDU, njëkohësisht Kryetar i Grupit CDU/CSU në Bundestag Friedrich Merz në Kiev. Marrëdhëniet e shkëlqyera midis qeverive dhe vendeve tona duhet të thellohen dhe konkretizohen në një bashkëpunim më të madh ekonomik në disa sektorë strategjikë. Shqipëria mbetet një ofertë e shkëlqyer për shumë kompani gjermane për të investuar. Gjermania, me rreth 1.2 miliardë euro financime, zë vendin e parë në mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë. Mirënjohje KFW për financimet e rëndësishme në sektorë jetikë si ujësjellësa, kanalizime, rrjetet e transmisionit dhe interkonjeksionit të energjisë etj.