Të ardhurat nga TVSH-ja e brendshme bien 7.3% në prill

0
553
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ndonëse të ardhurat buxhetore kanë shënuar një ecuri pozitive në katër muajt  e parë të vitit, me një rritje prej 6.6% në raport me faktin 2016, të hyrat nga TVSH e brendshme, një tregues direkt i konsumit të ekonomisë nuk kanë qenë kaq të mbara, duke shënuar dhe tendencë negative.

Sipas të dhënave të detajuara të Ministrisë së Financave, të ardhurat nga TVSH e brendshme për 4 mujorin u rritën me vetëm 1.5% në 11.7 miliardë lekë, duke qenë 12%, apo 1.5 miliardë lekë më pak se plani. Duke pasur parasysh se rritja ekonomike është mbi 3% dhe inflacioni rreth 2%, performanca e TVSH-së ka qenë minimale.

Ndërsa në prill, ecuria ka qenë tepër negative, teksa të ardhurat nga TVSH e brendshme kanë rënë me 7.3%, apo me 196 milionë lekë më pak se prilli 2016, apo rreth 23% më pak se plani i muajit prill.

Ka qenë TVSH në dogana ajo që ka shpëtuar këtë zë, duke u rritur me 856 milionë lekë dhe duke rezultuar gati 12% më shumë se plani, të ndihmuar nga rritja e çmimeve të mallrave në bursat ndërkombëtare.

Në total, performancën më të mirë tatimore për 4 mujorin e ka shënuar tatim fitimi, që ka tejkaluar planin me  3.4 miliardë lekë, dhe taksat nacionale me +1.8 miliardë lekë, që kanë mbuluar mosplotësimin e planit me 1.5 miliardë lekë të TVSH-së së brendshme.

Në një tjetër tregues të konsumit të dobët, ekspertët e këmbimit valutor kanë konstatuar se një nga arsyet e zhvlerësimit të euros muajt e fundit lidhet me faktin që ka mungesë të likuiditetit në lekë nga bizneset, si rrjedhojë e aktivitetit të dobët ekonomik.

Si rrjedhojë, bizneset po konsumojnë rezervat e tyre në valutë.  Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se niveli i depozitave në valutë për korporatat jo financiare ka rënë me 42 milionë lekë në shkurt-mars të këtij viti, tkurrja më e lartë në më shumë se një vit (shiko grafikun Depozitat në euro të korporatave jofinanciare private).

Kjo është një mënyrë për të mbuluar mungesën e likuiditetit pohojnë ekspertët e tregut, ndërsa forma tjetër është përmes emetimit të borxheve. Rënia e shitjeve të bizneseve, automatikisht sjell dhe më pak të ardhura nga TVSH e brendshme.

Marrë nga Monitor.al

Zjarr Tv Ad