Kryetari i PD Lulzim Basha në një deklaratë për mediat u shpreh ndër të tjera se protestuesit që u lanë në burg janë politikë. Basha nënvizoi se gjyqtari që ka marrë vendimin për të burgosur protestuesit, do të përgjigjet nesër, kur PD të jetë në pushtet.
“Zemra e protestës vazhdon të jetë kryeqyteti. Dua t’i shpreh mirënjohje, sidomos rinisë. Ata e kuptojnë se kjo është një ngjarje që do të ndryshojë njëherë e mirë Shqipërinë. Vendin tonë nuk do e lëmë në dorën e një njeriu që ka marrë peng Shqipërinë, ka marrë peng të ardhmen e shqiptarëve.
Një mesazh kam edhe për ata që hynë në burg për protestat. Vëllezër dhe motra që sakrifikuat, ju jeni sot të burgosur politik të një regjimi monist. Ju siguroj se dhunuesit tuaj do vendosin përpara përgjegjësisë. Përpara drejtësisë, do të vendoset babai i nënkryetarit të FRESSH, gjyqtari që la në burg 20 protestues. Këtij gjyqtari i them se nuk do të shpëtojë nga drejtësia. Ne nuk lejojmë që kjo qeveri të bëjë reformën sipas orekseve politike të saj. Pushteti absolut korrupton absolutisht”, deklaroi Lulzim Basha.