Një ditë pasi shpalli emergjencën energjitike, qeveria shqiptare publikoi edhe planin për të mbrojtur familjet dhe bizneset e vogla nga kriza energjitike, e cila sipas kryeministrit Rama, do të sjellë çmime të larta dhe situata të jashtëzakonshme.
Plani me 3 pika nuk bazohet tek ngritja e çmimit të energjisë por te një garanci sovrane e shtetit prej 200 mln eurosh me të cilën do të mbështesë OSHEE-në.
Publicisti, Agim Baçi, i ftuar në Rtv Ora thotë se kryeministri Rama nuk mund të rendë pas zgjidhjeve të shpejta me të cilat ngarkon qytetarët me detyrime.
Sipas tij, pikësëpari ai duhet të bënte një analizë dhe nxirrte përgjegjësi se pse jemi në këtë situatë.
Në intervistën me gazetarin Sebastian Zonja, Baçi thotë se Rama është shndërruar në mjeshtër të shpërthimit të kontrolluar të krizave.
Baçi: Mënyra si kryeministri bën djallin të dielën dhe ëngjëllin të shtunën tjetër, reklamon një krizë pastaj është ai që i jep zgjidhje nënkupton për një situatë të menaxhuar nga ana propagandistike por jo një zgjidhje reale dhe një shpjegim real të asaj që po ndodh.
Të gjithë janë në krizë por kryeministri nuk është aty për të na thënë se po ndodh një krizë por si do ta zgjidhim. Nuk ka pse kryeministri të ketë si zgjidhje më të shpejtë atë që ua ngarkon qytetarëve që ta paguajnë.
Por kryeministri këtë praktikë ka gjetur dhe duket se para publikut i ka ecur disi. Është ai që i shpërthen në mënyrë të kontrolluar krizat, i bën si ato letrat që i dërgonte vajza mamasë që “kam njohur një djalë, ai është ngjyrë tjetër, është me SIDA, tani jam shtatzënë po ai është dhe në burg.” Patsaj i thotë: “Mama, asnjë nga këto nuk është e vërtetë, thjesht kam mbetur në provim dhe nuk dija si ta thoja.” Edhe Rama e nis si kjo vajza që ka mbetur në provim dhe në fund fare na jep këtë zgjidhjen, shqiptarët kanë mbetur në fakt në provim, por ai na e bën më të rëndë sesa kjo.
Kjo mënyrë komunikimi është një mungesë përgjegjësie e një shtetari që nuk shikon zgjidhjet por sesi mund ti bëjë qytetarët e tij bashkëpunëtorë në një pagesë, që në fakt duhet të japë shpjegim njëherë pse jemi në këtë fazë, çfarë kanë menaxhuar keq dhe çfarë kanë menaxhuar mirë institucionet që ai i ka dhe mund ti kontrollojë, raporti i shitjes dhe blerjes në treg.
Tu thuash qytetarëve thjesht që unë ju paralajmërova nuk më duket në përgjegjësinë e kryeministrit, më duket thjesht një njeri që bëhet zëdhënës i së keqes por jo një kryeministër i përgjegjshëm që duhet të japë zgjidhje.