Të dielën e 13 qershorit demokratët do të zgjedhin me votë kryetarin e ardhshëm të partisë.
Kandidati për kreun e kësaj force politike, Fatbardh Kadilli kritikoi mbështetësit e Lulzim Bashës, duke u shprehur se demokratët nuk duhet të presin që të forcohet kryetari aktual, por të forcojnë vetveten.
“Demokratët nuk duhet të presin që të jetë i fortë kryetari, duhet të forcojnë vetveten. T’i japin forcë votës së tyre.Sot demokratët kanë dy alternativa: alternativën e Bashës që fshihet pas alibisë, masakrës elektorale, që i shërben për të ndenjur dhe katër vjet të tjera në zyrën e kryetarit dhe alternativa tjetër që është ringritja e PD-së.
Unë jam për ringritjen e PD-së, nuk merrem me alibitë e tjetërkujt. E dija që po hyja në një garë të pabarabartë. Kam qenë shumë i drejtpërdrejtë, gara është e pabarabartë, por unë do ta çoj deri në fund”, u shpreh Kadilli në Top Channel.
Ndër të tjera ai shprehet se ka demokratë, të cilët janë përpjekur të ndikojnë në garë, në mënyrë të padrejtë.
“Demokratët kishin një detyrim etik, që të rrinin larg garës dhe jo të bënin presione nëpër shtresën e mesme, të elitës lokale të partisë, për t’i detyruar që të votojnë në favor të bamirësit të tyre”, tha Kadilli.