Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ditën e sotme i është bashkuar demokratëve në Kuvendin i cili po mbahet në Pallatin e Kongreseve.
Mediave nuk i ka shpëtuar momenti kur Topalli është takuar me ish-kryeministrin Sali Berisha. Në foton e shkrepur, Topalli shihet e buzëqeshur teksa përqafohet me liderin historik të PD, Sali Berishën.
Më herët në një deklaratë për mediat Topalli tha se Kuvendi i sotëm është një moment që Partia Demokratike të rikthehet te vetja.
“Sot është një moment kur PD mund të rikthehet te vetja e saj. Nuk është hera e parë që partia gjendet në vështirësi. Edhe pa qenë në krye të PD, edhe pa qenë deputete, njeriu duhet të gjejë forcën për të thënë të vërtetën. Nuk është nevoja të kesh karrige për të bërë beteja.
E rëndësishme është që bashkimi të bëhet mbi vlera, te njerëzit e thjeshtë, te ata që kërkojnë një opozitë reale jo opozitë false. Nuk ka dëm më të madh se t’i japësh vendit një opozitë false. Prandaj jam sot këtu”, u shpreh ish-kryeparlamentarja.