Kryeministri, Edi Rama ka mbledhur qeverinë e tij prej mëngjesit të djeshëm (9 janar) në Shëngjin, ndërsa mbledhja informale do të vazhdojë edhe sot.
Takimi ka qenë hermetike, me gazetarët që nuk janë lejuar në objektin privat.
Së fundmi ka qenë vetë kryeministri që me anë të një postimi në “facebook” ka ndarë disa pamje nga mbledhja, ku bën të ditur edhe qëllimet e kësaj mbledhjeje, që jan prioritet e këtij viti në parlament, qeveri dhe parti.
Një ndër çështjet e diskutuara dhe objektivat që kryeministri Rama vendosi për të tijët është gjetja e rrugës së bashkëpunimit me individët apo grupet parlamentare në parlament, për ligjet që duan shumicë të cilësuar.
Bashkë me PSD-në, socialistët nuk mund t’i arrijnë 84 vota për të bërë dhe ndryshime kushtetuese, si në rastin e miratimit të amnistisë për të dënuarit që dështoi fundvitin e shkuar. Në kushtet kur opozita është në betejë për të bllokuar seancat, PS ka orientuar drejtuesit e grupit që të përpiqen të gjejnë fraksione të opozitës ku mund të ketë vend për bashkëpunim.
Ndërkaq, edhe pse duhet më shumë se një vit nga zgjedhjet e radhës, kryeministri Rama ka vënë para përgjegjësisë të tijët, duke kërkuar llogari për aktivitetin që kanë pasur, duke nisur nga parlamenti, te strukturat e partisë dhe elektorati. Ndër të tjera, socialistët kanë marrë orientime për aktivitetin e tyre në Parlament, në kushtet e bllokimit nga ana e opozitës.
Nga kjo mbledhja që do të vijojë dhe ditën e sotme nuk dihet ende nëse do të ketë një ndarje mes “më të mirëve dhe të këqijtë mes socialistëve”, ku referencë është thënë se do të jetë aktiviteti që ata kanë patur në Parlament dhe impakti në publik i deputetëve.