Deputetët e PDK-së, Ardian Kastrati dhe Blerta Deliu, e kanë lëshuar në shenjë proteste mbledhjen e komisionit për Integrime Evropiane, pasi që Zëvendëskryeministri Bisnik Bislimi ka refuzuar t’ju përgjigjet në pyetje. Kastrati e ka pyetur Bislimin për qëndrimet e Vetëvendosjes ndër vite, duke iu referuar “Albin Kurtit si lider suprem”. Ai tha se Bislimi duhet të tregojë nëse LVV-ja ka ndryshuar tashmë qëndrimet pasi që është në pushtet, e nëse po tenton që ta dërgojë vendin edhe njëherë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Pasi që Kastrati iu referua Kurtit si “lider suprem”, kanë reaguar deputetët e LVV-së që janë anëtarë të komisionit.
Fjalën për t’ju përgjigjur në pyetje deputetit të PDK-së e ka marrë edhe Zëvendëskryeministri Bislimi. Ai tha se Kastrati nuk ka ndryshuar tash e 10 vite, prej kur tha se e ka larguar nga puna si asistent.
“Prej atij Adriani që ne e kemi largu prej punës para 10 vjetëve ke qenë njejtë. Nuk ke ndryshuar fare”, – ka thënë zv.kryeministri.
Këtu ka reaguar deputetja e PDK-së, Blerta Deliu që tha se së bashku me Kastratin do ta lëshojnë sallën pas këtyre deklaratave. I ngritur në këmbë, duke dalë nga salla, Kastrati tha se Bislimi ka bërë “kërcim me parashutë në karrierën e tij”
“Ti e ke bë një kërcim në karrierë me parashutë. Ti je kukull, të kanë pru këtu, e ke tradhëtu elektoratin tënd”, – tha Kastrati.