Kandidati për kreun e PD-së, Lulzim Basha po vijon turin e tij elektoral në Shqipëri. Sot ai është ndalur në qytetin e Durrësit ku ka takuar demokratët si dhe ka bërë sërish thirrje për vettingun e politikanëve në vend.
Përmes një postimi në “Facebook”, Basha rastet si dosja e Arben Ahmetajt, por edhe ato të mëparshmet që kanë përfshirë ministra apo zyrtarë të tjerë të lartë nga radhët e PS-së, janë dëshmi se Edi Rama e ka ndërtuar gjithë pushtetin e tij mbi krim dhe korrupsion.
Sipas tij kreu i qeverisë pas çdo dosje korruptive del dhe lan duart sikur ai mos ketë lidhje me to. Ndër të tjera Basha thekson se SPAK nuk duhet të ndalet dhe t’i shkojë deri në fund hetimit për dosjet korruptive që prej vitesh ndodhën në zyrën e saj.
Postimi i plotë:
Shqipëria renditet ndër 10 vendet më të korruptuara në botë, sipas perceptimit të qytetarëve të saj. Dosja e Arben Ahmetajt, por edhe rastet e mëparshme ku ministra, kryetarë bashkie e deputetë u arrestuan për korrupsion, apo u larguan nga politika për lidhjet me krimin, janë dëshmi se Edi Rama e ka ndërtuar gjithë pushtetin e tij mbi krim dhe korrupsion. Pas çdo dosje korruptive ai del dhe lan duart, a thua se korrupsionet nuk u bënë me bekimin e tij?! A thua se lidhjet me krimin nuk sollën vota për ta mbajtuar atë në pushtet?! SPAK nuk duhet të ndalet, por duhet t’i shkojë deri në fund hetimit për dosjet e korrupsionit që prej vitesh janë në zyrat e saj.
Natyrisht që këto afera korruptive të provuara, por edhe akuzat e balta që hidhen nëpër mediat e financuara me para korrupsioni për të mbuluar pikërisht të inkriminuarit dhe korruptuarit e vërtet, kanë bërë që besimi i qytetarëve te politika të jetë tejet i ulët, siç e treguan zgjedhjet e fundit, ku të rinjtë në shumicë i bojkotuan ato.
Prandaj kushdo që është i pastër dhe s’ka frikë duhet sot të kërkojë me zë të lartë vetting-un e politikanëve, hetimin e pasurive të tyre, si i kanë vendosur këto pasuri dhe lidhjet me krimin.
Aleanca Qytetare për Demokracinë do të jetë koalicioni ynë për të çliruar ekonominë dhe për të çuar përpara ndryshimet kushtetuese që do të zhbëjnë ato të 2008-ës, duke mundësuar:
✅ Listat e hapura;
✅ Vetting-un e politikanëve;
✅ Votën e diasporës;
✅ Kufizimin e mandateve;
✅ Zgjedhjen e Presidentit nga populli.
Ne do të përkushtojmë çdo energji në hapjen, fuqizimin dhe modernizimin e strukturave të Partisë Demokratike – për një parti që shëmbëllen shoqërinë dhe nevojat e saj, me profesionistë të ndershëm që duan vendin e tyre, me të rinj e të reja, që janë garanci e inovacionit të vazhdueshëm dhe mendimit ndryshe.
Ndryshimi që kemi nisur dhe do të vazhdojë brenda forcës sonë politike, me vendime të vështira dhe të guximshme, është provë e gatishmërisë sonë për t’u dhënë shqiptarëve alternativën që presin dhe meritojnë!