Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka bërë me dije se ditën e martë, 6 dhjetor mësimi në shkollat e Tiranës do të vijojë normalisht, pa asnjë nderprerje.
Sqarimi i Kushit vjen pasi qytetarët kanë paqartësi nëse do të ketë ose jo mësim në Tiranë, pasi më datë 6 do të mbahet samiti i BE-së dhe liderët europianë do të vijnë në kryeqytet.
Ndër të tjera ministrja Kushi i ka ftuar të gjithë mësuesit në gjithë vendin që ta shfrytëzojnë këtë ditë historike për të ndarë me nxënësit opinionet për rrugëtimin evropian të vendit.
Postimi i plotë i Evis Kushit:
E detyruar nga pyetja e vazhdueshme “A do jenë pushim shkollat në datën 6?” po e ripërsëris se ditën e martë, datë 6 dhjetor, mësimi do të vijojë normalisht në të gjitha shkollat e Tiranës.
Samiti BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Tiranë më 6 dhjetor është një ngjarje e jashtëzakonshme dhe historike për Shqipërinë. Për herë të parë, të gjithë liderët e BE-së mblidhen në një vend jashtë BE-së për një samit të Këshillit Evropian.
Ky është nder dhe vlerësim i madh për vendin tonë, por s’ka arsye për të ndaluar procesin mësimor. Madje i ftoj të gjithë mësuesit, në të gjithë vendin, që ta shfrytëzojnë këtë ditë kaq të veçantë për të ndarë me nxënësit opinionet për rrugëtimin e vështirë evropian të atdheut tonë.
Ndjesë për të gjithë ata që mund të jenë keqinformuar nga media të ndryshme, rrjetet sociale apo burime të tjera jozyrtare dhe mësim të mbarë!