Të moshuarit meritojnë respekt dhe dinjitet për kontributin e tyre…

0
17
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

GËZIM TUSHI

1 Tetori, Dita Botërore e të Moshuarve. Një ditë që kërkon jo ditirambe humaniste boshe, por reflektime të gjëra për rivlerësimin e dinjitetit dhe kontributeve historike që të moshuarit kanë dhënë për familjen, shoqërinë, ekonominë dhe shtetin e tyre. Kontribute që kanë nevojë për një ridimensionim social dhe konvertim të kujdesit mjekësor e financiar më të shpejtë.

Me gjithë ndryshimet që kanë ndodhur, për mirë dhe për keq, në përgjithësi duhet pranuar se situata e të moshuarve në Shqipëri, jo vetëm nuk është e kënaqshme, por në të vërtetë është akoma larg standardeve të trajtimit sipas parimeve kontributive të shtetit social. Kjo ditë nuk është thjesht për të bërë lojëra e as bravura me situatën dhe statusin e brishtë social dhe gjendjen ekonomike të vështirë të tyre.

Përkundrazi, do ishte në nderin e gjithë faktorëve që kanë role dhe përgjegjësi për këtë situatë, të largohemi nga “statistikat memece”, sepse koha kërkon, është imperative, është e nevojshme dhe e domosdoshme që për të moshuarit dhe situatën e “pleqërisë” në vendin tonë të bëhet një reflektim kompleks. Koha kërkon një refleksion të gjerë social, që duhet të fillojë nga familja biologjike (që ka gjynahet e veta të braktisjes në emër të familjes moderne), te rishikimi i buxhetit social dhe modernizimi përmes decentralizimit dhe diversifikimit të formave dhe alternativave të institucioneve të përkujdesit social, njohja kapilare e gjendjes së të moshuarve të vetmuar e me nevoja specifike dhe shëndoshja e rrjetit dhe e formave institucionale e kapilare të kujdesit nga strukturat e pushtetit vendor, zgjerimi i sensibilitetit human dhe solidaritetit njerëzor nga komuniteti, biznesi, institucionet e sigurimit social e shëndetësor, shoqëria civile, organizatat specifike joqeveritare, Kur analizojmë situatën e dëshpëruar të të moshuarve në Shqipëri, është mirë që analizën dhe diagnostikimin kompleks të problemeve të tyre ta realizojmë me “këmbë në tokë”.

Një nga shkaqet me ndikim evident në gjendjen e të moshuarve, është pa dyshim që në kushtet e shoqërisë moderne shqiptare “statusi social” i të moshuarve ka ndryshuar në krahasim me të kaluarën. Qoftë në aspektin social, etik e material. Edhe në Shqipëri ndodhi shpërbërja e “familjes së madhe”, e konceptuar me një rol tradicionalisht të respektuar për të moshuarit, përvojën dhe urtësinë e tyre. Familja nukleare që po bëhet dominante në Shqipëri, nuk i ka favorizuar të moshuar dhe ka cenuar statusin e tyre.

Ndërkaq, për shkak të procesit të plakjes së përshpejtuar të popullsisë dhe rritjes së peshës demografike, nevojave sociale dhe shpenzimeve shëndetësore, të moshuarit po bëhen shtresë me “kosto” sociale, shëndetësore e financiare në zgjerim. Si për familjen biologjike, por edhe për shtetin. Ulja e lindjeve, emigracioni i të rinjve dhe zgjatja e jetës, po e përshpejton akoma më shumë këtë proces social, me pasoja të gjithanshme e komplekse: demografike, financiare, shëndetësore dhe rritjen e nevojave për shërbime sociale publike, private, polivalente, të specializuara dhe të personalizuara. Kujdesi për të moshuarit nuk është as i tepërt, as barrë sociale për familjen biologjike dhe politikat sociale të shtetit.

Sepse të moshuarit për të gjitha arsyet që dihen dhe nënkuptohen, janë natyrshëm në moshën e vështirësive fizike, shëndetësore, financiare dhe emocionale. Ata kanë të drejtë të pretendojnë për ndihmë sociale. Nga familja e tyre biologjike në radhë të parë, pastaj edhe nga shteti, shoqëria, komuniteti dhe institucionet e shërbimit dhe përkujdesit social. Ne jetojmë në shoqëri politike dhe jo në “xhungël sociale”. Kështu që nuk mund të pranojmë në heshtje idenë se mosha ne mënyrë deterministe duhet të jetë pengesë për jetën normale, integrimin social të moshuarve.

Akoma më keq nuk mund të jetë e shëndetshme familja dhe e shëndoshë shoqëria, pa kujdesin e duhur për të moshuarit, të cilët në mënyrë të natyrshme kërkojnë dhe presin mbështetjen e duhur nga familja, përkrahjen sociale nga shteti dhe shoqëria. Pa dyshim ka një situatë sociale që flet për një përkeqësim të dukshëm të kujdesit dhe shërbimit social për të moshuarit, sidomos në familje dhe jetën publike. Të moshuarit nuk i “tregojnë të gjitha” vuajtjet dhe mundimet që kanë. Kjo është arsyeja që gjendja e tyre është më e keqe se ankimimet e tyre publike për familjen, shtetin, shoqërinë.

Edhe pse në shoqërinë shqiptare ka të moshuar që janë të vetmuar, në gjendje të keqe ekonomike, sociale dhe emocionale, por që kanë skrupuj moralë dhe për pasojë nuk dënojnë publikisht braktisjen e familjes biologjike, trajtimin e margjinalizuar nga fëmijët apo kanë droje për të kërkuar mbështetjen e mbrojtjes së tyre nga institucionet sociale. Të moshuarit tanë të sotëm janë pjesëtarë të brezit që jetoi në një shoqëri me skrupuj të fortë morale, ndjenjë solidariteti dhe respekt sui generis për të moshuarit. Si rregull, të moshuarit sot janë ata që vijnë nga familje shqiptare (qytetare apo fshatare), në të cilat ka qenë veprim i turpshëm, tërësisht i papranuar fenomeni i braktisjes nga familja biologjike.

Statusi social e moshor i tyre ka qenë tjetër lloj. Familja shqiptare ka funksionuar me tjetër tipologji të pranuar të respektit moshor. Por kohët kur për shkak të moshës të moshuarit në shoqërinë tradicionale shqiptare janë respektuar pa kusht, janë vlerësuar për rolin e tyre si prindër, gjyshër të fëmijëve dhe nipërve të tyre, tashmë kanë ndryshuar. Kjo është arsyeja pse situata dhe statusi i tyre, është bërë shoqërisht dhe emocionalisht i agravuar në kohën e sotme. Për pasojë, të moshuarit po jetojnë një pleqëri ndryshe nga jeta e të moshuarve në të kaluarën, sepse mbështetja sociale në familje dhe shoqëri është holluar së tepërmi.

Ndërkaq, nuk mund të pretendojmë të ndërtojmë shoqërinë e mirë dhe të garantojmë drejtësi sociale nëse të moshuarit tanë nuk përkrahen seriozisht në luftën e tyre për më shumë drejtësi, dinjitet, mbështetje qytetare dhe përkrahje sociale më të gjerë në familje dhe shoqëri. Rritja e sasisë dhe intensitetit të ankesave të të moshuarve për familjen biologjike, dorën sociale të shtetit dhe ankesat për kujdesin e dobët komunitar, janë tregues sintetikë të së vërtetës që të moshuarit tanë janë bërë më të ndërgjegjshëm për të drejtat e tyre moshore, sociale dhe humane.

Në të ardhmen e afërt, ata gjithnjë e më shumë do kenë të drejtë të mos pajtohen me statusin jo qytetar që vjen nga braktisja dhe vetmia sociale. Le t’i vijë kujtdo keq apo të ketë turp social për situatën që përjetojnë një numër të moshuarish në shoqërinë tonë. Këtë turp duhet ta ndjejmë të gjithë, secili individualisht dhe bashkërisht, çdo strukturë e organizimit të jetës sociale në Shqipëri. Qoftë familjes së të moshuarit të braktisur, që është e para që duhet të ndjejë përgjegjësi, të turpërohet për statusin e vështirë të të moshuarve biologjikë, pjesëtarë të familjes natyrale, apo edhe instrumentet sociale të përkujdesit për të moshuarit të shtetit dhe pushtetit vendor.

Mosha nuk është argument për të heshtur përballë situatës së vërtetë të pleqve në shoqërinë tonë. Ajo nuk ka pse konsiderohet apo të bëhet pengesë që të moshuarit tanë të ngrenë zërin përballë mungesës së kujdesit të bijve të tyre dhe shtetit social. Në këto kushte, familja, shoqëria shqiptare dhe shteti social duhet të përgatiten më mirë, për të përballuar sfidat e moshimit, situatat e ndërlikuara të të moshuarve. Faktorët social si familja, shoqëria dhe shteti, duhet të mendojë më mirë për këtë situatë sociale që është, dhe sidomos për atë që po vjen nga rritja e problematikave të moshës.

Por njëherësh ato duhet të bëhen gati dhe të mos i bëjnë “bisht” përgjegjësive obligative sepse duhet të “paguajë” patjetër atë që i takon mbrojtjes së dinjitetit dhe kujdesit për të moshuarit. Pa kujdesin për të moshuarit, aq më keq me nënvleftësimin dinjitetit të tyre, ne nuk do bëhemi kurrë shoqëri e drejtë. Në se nuk ndërtojmë si duhet familjen dhe nuk shëndoshim kujdesin social të shtetit dhe shoqërisë, të moshuarit tanë mund të vazhdojnë të diskriminohen dhe margjinalizohen. Nuk ka diskriminim më të rëndë, më antihuman se ai që u bëhet pleqve, për shkak të moshës, gjendjes fizike të rënduar, aftësive trupore dhe mendore të dobësuara.

Një qëndrim i tillë ndaj të moshuarve është cinizmi më i vrazhdë, i papranueshëm për të gjithë ne, bijtë dhe bijat e tyre, nëpunësit të shtetit, aktivistët e shoqërisë civile, punonjësit e institucioneve të shërbimit social apo medical, qoftë shtetëror apo privat. Kjo do të thotë që, më 1 Tetor, në Ditën Ndërkombëtare të tyre, të gjithë duhet t’u japim një përgjigje pozitive, të sinqertë, jo propagandistike e demagogjike kërkesave të ligjshme dhe ankesave të drejta të tyre.

Por që të gjejmë shkaqet e ankesave dhe t’u japim përgjigjen e duhur kërkesave që kanë të moshuarit për familjen dhe shoqërinë e tyre, më parë duhet të kuptojmë esencialisht faktin, që konfliktet që kemi sot me të moshuarit tanë, janë me natyrë biologjike dhe vijnë pasivisht nga pleqëria e tyre apo janë të lidhura organikisht me mungesën e kujdesit të duhur, të merituar, të asaj që ata me të drejtë e presin nga familja dhe shoqëria jonë? Të mos harrojmë se shoqëria e drejtë ka një të veçantë. Ajo është e drejtë kur është universale, e barabartë për të gjithë, pavarësisht nga mosha.

Zjarr Tv Ad