Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, ku foli pak më parë për rritjen e çmimit të naftës si dhe për krizën energjikike.
Kryemadhi me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan se Shqipëria nuk ka shpallur ligjërisht gjendjen e luftës dhe çmimet e karburanteve, energjisë elektrike, taksat e larta, janë të ndikuara vetëm prej vendimmarrjeve të Edi Ramës në krye të qeverisë.
Ajo shkruan “ndryshe nga vendet e tjera të Evropës që vuajnë për burime të prodhimit të energjisë, Shqipëria është e pasur në nëntokën e saj me naftë, e bekuar me burime hidrike për prodhim energjie, me diell përgjatë gjithë vitit. Përmes një qeverisje të kujdesshme në menaxhimin e tyre, shqiptarët energjinë elektrike, naftën dhe nënproduktet e saj do duhet t’i merrnin gjithmonë me kosto shumë herë më të përballueshme”.
Postimi i plotë i Kryemadhit:
Me e pakta mbyll gojën dhe na kurse të vjellat. Lufta nuk është gjendje psiqike, por shpallet sipas parashikimeve ligjore. Shqipëria nuk ka shpallur ligjërisht gjendjen e luftës dhe çmimet e karburanteve, energjisë elektrike, taksat e larta, janë të ndikuara vetëm prej vendimmarrjeve të Edi Ramës në krye të qeverisë.
Qytetarët në Maqedoninë e Veriut, vend i cili nuk prodhon asnjë fuçi naftë, e marrin naftën më lirë dhe cilësisht më të mirë se qytetarët tanë. Nafta që marrin qytetarët e Kosovës importohet në Durrës, transportohet deri atje dhe në pompa është më e lirë se nafta që marrin qytetarët tanë.
Kaq duhet të mjaftojë për të kuptuar cili është ndikues për shtrenjtimin aktual të karburanteve, produkte jetike që ndikojnë ekonominë e çdo familje dhe biznesi në vend.
Ndryshe nga vendet e tjera të Evropës që vuajnë për burime të prodhimit të energjisë, Shqipëria është e pasur në nëntokën e saj me naftë, e bekuar me burime hidrike për prodhim energjie, me diell përgjatë gjithë vitit. Përmes një qeverisje të kujdesshme në menaxhimin e tyre, shqiptarët energjinë elektrike, naftën dhe nënproduktet e saj do duhet t’i merrnin gjithmonë me kosto shumë herë më të përballueshme.
Mos ja hani gënjeshtrat por kërkojini të mbajë përgjegjësi! Sepse, një njeri që edhe plehrat i shikon si mjet për tu pasuruar, siç tregoi afera e inceneratorëve, për të cilin presim SPAK të godasë fortë e lartë, në çdo moment të ushtrimit të funksionit njerëzit i konsideron miza dhe xhepin e vet më të rëndësishëm se ekonomia e familjeve shqiptare.