Personat e infektuar me Covid sipas ligjit duhet të qëndrojnë të izoluar për 14 ditë brenda banesës për të mos përhapur sëmundjen dhe kujdesur për shëndetin e tyre. Por e kundërta ka ndodhur në Kamëz, ku 31 vjeçari me iniciale E.M është prangosur nga policia jo vetëm se ka thyer karantinën por është përfshirë në një sherr dhe është kapur me armë pa leje.
Ngjarja është shënuar pak ditë më parë në Kamëz, ku mbrëmjen e 23 gushtit në rrugën “Rilindja” shtetasit E.M dhe M.M dy vëllezër janë përleshur fizikisht me K.B dhe A.B.
E.M i përfshirë në këtë konflikt ka nxjerrë armën duke qëlluar dhe pasi është larguar për tu fshehur arrestimi ka lënë në vendngjarje gëzhojat e kalibrit 7.65 mm. Ndërsa pak ditë më parë vëllai i tij M.M kishte lënë spitalin Covid 1 dhe së bashku qëndron në karantinë.
Kur policia ka trokitur në banesën e E.M prindit të tij kanë deklaruar se djali qëndron tek gjyshërit pasi po zbaton izolimin për shkak të simptomave Covid-19.
Sërish E.M nuk është gjetur as në banesën e gjyshërve por në dhomën ku ai jetonte është gjetur një arsenal municionesh si 11 fishekë automatiku, 2 fishekë pistolete, 1 fishek armë gjahu, 1 krehër pistolete bosh dhe një armë gjahu. Mëngjesin e 24 gushtit policia e Kamzës ka mundur të prangos E.M dhe M.M të përfshirë në këtë konflikt.
Pas arrestimit E.M ka pranuar autorësinë dhe faktin e qëllimit me pistoletë në ajër pasi sipas tij, ka qenë me të vëllanë M.M duke blerë ilaçe në një farmaci për shkak të temperaturës dhe kur po dilte ka parë se i vëllai po sulmohej nga A.B dhe K.B e ka nxjerrë armën duke qëlluar në ajër.
Prokuroria i ka proceduar tashmë penalisht dy vëllezërit dhe për E.M gjykata e Tiranës me kryesues gjyqtarin penal Sokol Pasho ka caktuar arrest në burg dhe për M.M arrest në shtëpi, ndërsa ndaj tyre rëndojnë katër akuza: armëmbajtje pa leje, kanosje, mbajtje pa leje e armëve sportive, mos zbatimi i karantinës.