I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar është shprehur se Bosnja Hercegovina është shteti më i korruptuar në rajon.
Në një intervistë për median kroate N1, Escobar tha se problemi më i madh i Bosnjes, është korrupsioni, dhe sipas analizave të Transparency International, tregojnë se ky shtet është ndër më të korruptuarit edhe në Europë.
Duke iu përgjigjur pyetjes lidhur me “bashkëpunimin e ngushtë mes Dragan Çoviqit dhe Milorad Dodikut”, ai e solli atë në kontekstin e korrupsionit duke thënë se “atë duhet ta shikoni, jo në kontekstin e etnonacionalizmit, por thellimit të korrupsionit”.
“Nëse shikoni problemet që ka BeH, problemi nuk është se njerëzit nuk duan të jetojnë me kroatët, boshnjakët apo serbët. Të rinjtë po largohen nga vendi sepse njerëzit nuk mund të punësohen pa lidhje korruptive. Kjo e dëmton Bosnjën më shumë se çdo gjë, prandaj njerëzit po largohen nga vendi. Ky është absolutisht problemi dhe nuk është vetëm mendimi im. Analizat e njohura, si ajo e Transparency International, tregojnë se Bosnjë e Hercegovina është vendi më i korruptuar në Ballkanin Perëndimor dhe pothuajse vendi më i korruptuar në Evropë. Pra, ky është problemi më urgjent” – tha Escobar.