Një pronar lokali ka denoncuar një ngjarje të rëndë në Policinë e Tiranës, ku ka deklaruar se në drejtim të biznesit të tij në Fushë-Krujë ka pasur të shtëna me armë zjarri.
Policia njofton se nga të shtënat në drejtim të lokalit të Mondi Vogës, ngjarje e ndodhur pak pas mesnate, ka vetëm dëme materiale, ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Nga burime thuhet se pronari i lokalit, Mondi Voga, është ish-shoferi i ish-prokurorit Arjan Ndoj ndërsa në drejtim të biznesit të tij është qëlluar me kallashnikov, ndërsa janë gjetur rreth 15 gëzhoja në vendngjarje.
Grupi hetimor dyshon se është qëlluar nga një distancë e largët, pasi nga shqyrtimi i kamerave të sigurisë nuk duken as autorët, as automjeti që mund të ketë shërbyer për lëvizjen e tyre por mendohet se të shtënat kanë ardhur nga ana tjetër e rrugës, përballë lokalit.
Në momentin e të shtënave Voga ka qenë bashkë me familjen duke fjetur, ndërsa lokali ndodhet në katin e parë të hotelit të tij.
Ai rezulton të jetë proceduar disa vite më parë në lidhje me akuzat për dhunë ndaj avokatit durrsak Ilia Ilia.