Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili e quan një turp deklaratën e kryeministrit Rama që sipas disa skenareve, Shqipëria do të kishte 18 mijë viktima në rast të mos marrjes së masave.
Në një komunikim për mediat, Vasili tha se shqiptarët refuzojnë të trajtohen si indianët dikur në Amerikë, që trajtoheshin si skllevër.
Petrit Vasili: Ne sigurisht kemi respekt për çdo deklaratë do të vinte bazuar në të dhënat shkencore dhe teknike. Por unë në emër të gjithë shqiptarëve refuzojmë të trajtohet si indianët dikur të Amerikës, të cilët kolonizatorët i gënjenin duke i dhënë copa xhami dhe duke i marrë flori. 18 mijë vdekje për popullsinë prej 2.8 mln banorë të Shqipërisë do të thotë që të kishim 4 herë më shumë vdekje sesa Kina, e cila është rreth 500 herë më e madhe se Shqipëria. Asnjë shifër e asnjë vendi të prekur, në asnjë mundësi teknike nuk të mbështeste një trup të tillë të nxjerrë nga goja e kryeministrit.
Edhe njëherë Vasili i kërkon qeverisë që për të dalë nga kjo situatë duhet të rritet numri i testimeve. Sipas numrit dy të LSI, kurba shqiptare e të prekruve është e paqëndrueshme.
Petrit Vasili: Prandaj ne jemi këtu për ti thënë kryeministrit që merr masat, bëj testimet. Ne kemi një kurbë të dhëmbëzuar që është drejtvizore dhe në të kundër të të gjithë vendeve të botës, sepse virusi që ka prekur Shqipërinë nuk është një virus i veçantë. Kjo është një kurbë normale (e tregon me foto). Që do të thotë ka një ngjitje ka një periudhë qëndrueshmërie dhe më pa fillon zbritja. Kurbën e Shqipërisë nuk keni për ta gjetur gjëkundi. Ky është një manipulim për shkak të testimeve shumë të pakta, që kanë pasur për qëllim fshehjen e të vërtetës. Kurba e dhëmbëzuar e vençat e Shqipërisë po çudit dynjanë. Ky është një trup, nuk mund të gënjehen shqiptarët. Testimet masive do të krijonin idenë se çfarë kurbe kemi, vazhdojmë të ngjitemi, kemi ndalur, po dalim apo presim të dalim nga pandemia. Këto orientojnë edhe skenarët, si dilet nga izolimi dhe si përgatitemi për rifutjen në jetën normale dhe për të rimarrë ato ritme për të shpëtuar ekonominë që po rrënohet.