Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla i është përgjigjur kërkesës së Partisë Demokratike për testimin e mësuesve.
Nga qyteti i Elbasanit, Balla ka thënë që diçka e tillë është mjaft qesharake, duke e arsyetuar se po luftojmë me një armik të padukshëm.
“Ajo që të gjithë shqiptarët kanë dëgjuar nga doktori numër 2 i PD-së, Lulzim Basha me kërkesën që të testohen 36 mijë mësues të vendit. Kjo duket shumë qesharake, sepse mund të bësh 36 mijë teste sot dhe nesër do të duhet të bësh 36 mijë teste, edhe pasnesër 36 mijë teste, sepse ky është një armik I padukshëm që edhe 5 minuta pasi e ke bërë testin, mund ta marrësh virusin dhe mund të bëhesh një mbartës. Nuk dua të hyj në këtë diskutim, sepse është pavlerë. Të bësh politikë me fatkeqësinë, të bësh politikë me pandeminë, është të kesh mungesë të theksuar të intelektit minimal për të kuptuar se me çfarë kemi të bëjmë”, ka thënë Balla për mediat.