Disa muaj më parë, Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker deklaronte me krenari se Bashkimit Europian ishte duke i thënë dorën e fundit teknologjisë 5G, që do të revolucionarizojë mënyrën dhe shpejtësinë e komunikimit në internet.
Por, ky revolucionarizim duket se do të mbërrijë me kosto jo të vogla sa i takon mjedisit. Paralelisht me punën për ngritjen e infrastrukturës 5G (që ka nisur nga Suedia), Bashkimi Europian financoi disa studime për të përcaktuar ndikimin e kësaj teknologjie në mjedis.
Grupi i punës nën emrin “EKLIPSE” përfshiu dhjetra studiues të fushave të ndryshme të shkencës. Ata morën në shqyrtim 97 raporte të mëhershme për ndikimin që kanë valët elektromagnetike në ekosistem dhe rezultatet ja bashkangjitën punës së tyre kërkimore.
Raporti përfundimtar thotë se valët elektromagnetike me teknologjinë 5G do të përforcohen edhe më shumë, duke ndikuar në orientimin e zogjëve dhe insekteve, e për rrjedhojë kaos në ekosistem.
Kjo nuk është hera e parë që studimet të ndryshme dalin me këtë rezultat të njëjtë. Në 2010 shkencëtarët fajësuan valët elektromagnetike për rënien e numrit të popullsisë së bletëve në Europë.
“Radiacioni i këtyre valëve çorodit busullën natyrore që përdorin disa zogj dhe insekte. Kjo ndikon në migrimin dhe organizimin e kolonive të zogjëve dhe insekteve, çka ka sjellë reduktimin e popullsisë në disa syrësh, përfshirë bletët”, thuhet në studimin e publikuar edhe nga AFP në atë kohë.
Studimi i “EKLIPSE” shkon përtej dhe bën një parashikim akoma më pesimist. Shkencëtarët thonë se çorientimi i zogjëve dhe insekteve do të ndikojë negativisht edhe në rritjen e kulturave të ndryshme bujqësore, që varen drejtpërdrejtë, ose tërthorazi nga prania ose jo e këtyre gjallesave.
Britania e Madhe është një ndër vendet që ka instaluar në disa rajone teknologjinë 5G. Por, nisur edhe nga studimet e fundit ka një rezistencë në rritje kundër vendosjes së kësaj teknologjie, të paktën jo pa u marrë më parë masat e nevojshme për të reduktuar dëmin që mund të shkaktojë tek flora dhe fauna.
Organizata “Buglife” është njëra prej kundërshtareve më të forta.
“Kemi ligje dhe rregulla të forta këtu dhe në të gjithë Bashkimin Europian për të mbrojtur mjedisin nga ndotja, por si këtu, ashtu edhe në gjithë pjesën tjetër të kontinentit është harruar ndotja e madhe që vjen nga valët elektromagnetike dhe pasojat që kanë ato”, thotë Matt Shardlow, drejtues i kësaj organizate.
5G është gjenerata e pestë e teknologjisë së komunikimit pa fishë, që përçon të dhënat me shpejtësi të madhe.