QSUT ka kryer shkelje të rendë të ligjit për dhënien e disa tenderave pa gare gjatë periudhës 2015-2018. Sipas KLSH, këto shkelje janë kryer gjatë kohës kur QSUT drejtohej nga Ogerta Manastirliu. Agjencia e Prokurimit Publik ka kërkuar penalizimin e 10 vartësve të Manastirliut, duke i ndëshkuar me gjobë dhe masë disiplinore
Agjencia e Prokurimit Publik ka propozuar marrjen e masave disiplinore për 8 zyrtarë të Qendrës Spitalore Universitare Tiranë, si edhe gjobitjen e dy të tjerëve, për shkelje të rënda në procedurat e tenderave pa garë.
Shkeljet janë konstatuar nga auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit për veprimtarinë e institucionit gjatë periudhës 2015-2018. Në atë kohë, Qendra Spitalore “Nënë Tereza” drejtohej nga ministrja aktuale e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Kontrollorët kanë konstatuar problematika të shumta në tendera të zhvilluar me procedurën e “negocimit, pa shpallje paraprake”, një prej formave klasike të konkurrimeve pa garë reale.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka analizuar shkeljet në disa tendera të tillë, me fond limit qindra milionë lekë. Thuajse në të gjithë rastet, KLSH ka konstatuar se procedurat “me negociim, pa shpallje paraprake” janë kryer në kundërshtim me ligjin dhe nuk kanë qenë të argumentuar.
Dokumentet e shqyrtuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit tregojnë se Manastirliu ka pasur një rol thelbësor në zhvillimin e procedurave tenderuese. Megjithatë, të penalizuar janë vetëm vartësit e saj në Qendrën Spitalore Universitare, të cilët kanë zbatuar urdhrat e titullarit të Autoritetit Kontraktor, pra të Ogerta Manastirliut.