Projektligji i qeverisë për autonominë menaxheriale dhe financiare spitalore duket se do të dështojë. Vetë ministrja Manastirliu, 6 ditë pas vendimit të kabinetit, nuk heq dorë nga ndërhyrja në menaxhimin e spitaleve duke vendosur shpalljen e tenderit gjigant prej 36 milion eurosh për blerjen e pajisjeve dhe medikamenteve mjekësore. Ky tender do të zgjas për 2 vjet, duke vënë në pikëpyetje funksionimin e autonomisë spitalore gjatë kësaj periudhe.
Pak ditë pasi qeveria miratoi projekt-ligjin për Autonominë Spitalore, Ministria e Shëndetësisë ka shpallur një tender gjigant, me vlerë mbi 36 milionë euro, i cili vendos në pikëpyetje vullnetin e kabinetit Rama.
Më 29 Prill, ministrja Ogerta Manastirliu deklaroi nga shkallët e Kryeministrisë se projekti i hap rrugën autonomisë menaxheriale dhe financiare të spitaleve. Por, më 4 Maj, Ministria e Shëndetësisë shpall një tender të përqendruar, me fond mbi 43 miliardë lekë të vjetra, për blerje medikamentesh dhe pajisjesh mjekësore për të gjithë spitalet në vend.
Të dhënat zyrtare tregojnë se Ministria e drejtuar nga Manastirliu ka vendosur të blejë medikamente për 45 spitalet e vendit. Kjo procedurë, jo vetëm që nuk i jep hapësirë autonomisë spitalore, por, për më tepër, shkon në të kundërt të praktikës së vendosur deri më tani.
Tenderi pritet të mbyllet në fillim të Qershorit dhe synon furnizimin e strukturave spitalore në Tiranë dhe në rrethe për një periudhë 24-mujore. Kjo do të thotë se, edhe nëse Parlamenti e miraton menjëherë projektin e qeverisë për autonominë spitalore, ajo do të qëndrojë pezull për të paktën 2 vite.
Qeveria ‘Rama’ erdhi në pushtet në vitin 2013 me premtimin e shëndetësisë falas. Pasi dështoi në mënyrë spektakolare në përmbushjen e këtij premtimi, kabineti qeveritar shfaqi në fillim të mandatit të tretë risinë e autonomisë spitalore.Por, tenderi i sapo-shpallur nga Manastirliu tregon qartë se qeveria nuk ka vullnetin minimal për t’u shkëputur nga prokurimet me fonde gjigande.
Institucioni i drejtuar nga Manastirliu ishte objekt i disa hetimeve të nisura nga Prokuroria Speciale, SPAK, për tenderat sekretë të zhvilluar gjatë pandemisë. Pasi SPAK-u dështoi në hetimet e tij, qeveria u ndje shumë komode dhe vendosi të përqendrojë tenderat gjigantë në duart e Manastirliut dhe stafit të saj.