PanoramaSport.al/ Këtë vit qeveria shqiptare për herë të parë i dha jetë projektit për formalizmin e sportit në shkolla. Një projekt që përfshin të tria nivelit e arsimit: shkollat 9-vjeçare, gjimnazet dhe universitetet, me krijimin e klasave sportive, ku fillimisht janë përfshirë sportet e basketbollit dhe të volejbollit.
Janë plot 5 milionë dollarë, të cilat kanë dalë nga arkat e buxhetit të shtetit, para që po menaxhohen nga Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar për zbatimin e këtij projekti. Pas takimeve në çdo qytet të vendit, KOKSH-i ka zhvilluar edhe tenderat, për pajisjen me bazë materiale. Ndërkohë, mes tenderave të organizuar nga KOKSH-i tërheq vëmendje një tender me numër reference REF-38028-08-05-2022 dhe me objekt “LOTI I (Veshje Sportive, çanta, çorape etj)”. Fondi limit për këtë tender kishte shifrën 113,603,938 lekë të rinj pa TVSH (rreth 1.4 miliardë lekë të vjetër përfshirë TVSH-në).
Në këtë garë morën pjesë 6 operatorë ekonomikë, por “çuditërisht” fitues është shpallur operatori që ka dhënë ofertën më të lartë, kompania “ARISA – KONFEKSION”, me ofertë 112,885,700 lekë të rinj pa TVSH (afërsisht 1.4 miliardë lekë të vjetër me TVSH). Pra oferta fituese është thuajse sa fondi limit (99.37% e tij).
Ndërkohë të pesta ofertat e tjera, të cilat u skarcuan në këtë tender, kishin shifra më të ulëta, duke nisur nga operatori “AN@RA” (79,998,550 lekë pa TVSH), “VOJSAVA ZENELAJ” (83,772,300 lekë pa TVSH), “GENTJAN SADIKU” (87,675,610 lekë pa TVSH), “UNIVERS PROMOTIONS” (91,700,000 lekë pa TVSH), apo operatori “ENEA MASLLIVICA” (109,223,610 lekë pa TVSH).
Pra bie në sy një diferencë e frikshme prej afërsisht 400 milionë lekësh të vjetër me TVSH, mes ofertës fituese dhe ofertës më të leverdishme, që mund të hapë debat për menaxhimin e parave të taksapaguesve shqiptarë, para të cilat qeveria ia kaluar KOKSH-it për t’i menaxhuar për projektin e sportit në shkolla.
PANORAMASPORT.AL