Katër persona janë vënë në prangat e policisë së Kukësit, pas tensioneve në KZAZ, ku u tentua që të nxirreshin jashtë materialet zgjedhore.
Lidhur me ngjarjen tek gjimnazi “Havzi Nela”, në KZAZ nr.11 Kukës, ku disa persona në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kanë tentuar të dëmtojnë materialet zgjedhore, kanë prishur derën e palestrës dhe kanë vënë zjarr, si dhe kanë kundërshtuar punonjësit e policisë, u bënë dhe arrestimet.
Më konkretisht u vunë në pranga A. C., 46 vjeç, banues në Kukës, shofer në Bashkinë e Kukësit; E. H., 42 vjeç, banues në Kukës, shofer në Bashkinë e Kukësit; E. B., 26 vjeç, banues në Kukës, Inspektor i Policisë Bashkiake dhe E. M., 35 vjeç, banues në Kukës.
Gjithashtu janë shpallur në kërkim 7 persona si dhe janë proceduar në gjendje të lirë katër të tjerë, për veprën penale “Organizimi i paligjshëm i tubimeve”.
Të dyshuarit akuzohen për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së Rendit Publik”, “Mosbindja ndaj urdhrit të Punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, “Shkatërrimi i pronës”, “Dëmtimi me dashje i materialeve zgjedhore, e mbetur në tentative”, “Organizim i paligjshëm i tubimeve” dhe “Prishja e qetësisë publike”.