Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar sërish për situatën në Kosovë, ku tha se barrikadat e “kriminelëve me maska” të ngritura në veri duhet të hiqen menjëherë.
Në lidhje me këtë ai tha se ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, është në kontakt me komandantin e misionit të KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia.
Ndër të tjera Kurti tha se Serbia ka disa ditë që po “e kërcënon Kosovën me agresion”.
Që nga 6 dhjetori, në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok janë shënuar disa incidente të armatosura.
Sulme ka pasur edhe ndaj Policisë së Kosovës. Më 8 dhjetor, një polic u plagos lehtë, ndërkaq të shtunën, Policia tha se në tri raste ka pasur të shtëna drejt zyrtarëve policorë nga “grupet kriminale”, duke shtuar se policët janë kundërpërgjigjur me zjarr.
Për shkak të situatës në veri të Kosovës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vendosi që të shtyjë zgjedhjet lokale në katër komunat veriore për prillin e vitit të ardhshëm.