Kombëtarja italiane e drejtuar nga Roberto Mancini, fitoi Kampionatin Europian duke mundur Anglinë me penallti në finalen e Wembley. Një rilindje e të kaltërve, që kishte protagonistë shumë lojtarë, por një mbi të gjitha ishte sigurisht kapiteni Giorgio Chiellini. Numri 3 i Juventusit, luajti një Europian të shkëlqyer, duke e çuar ekipin kombëtar në triumfin final, falë mirëkuptimit të madh me qendërmbrojtësin tjetër Leonardo Bonucci, por do të mbahet mend edhe më gjatë për episodin në finale me anglezin Bakayo Saka.
Ajo që ndodhi mes tij dhe Saka, u bë virale për mënyrën se si u zhvillua: numri 3 bëri një faull taktik, e më pas u ndëshkua me karton të verdhë, duke ndaluar futbollistin anglez, duke e tërhequr nga fanella. Fotografët e pranishëm në stadium, arritën të kapnin momentin, një nga më ikonikët e ndeshjes, që tashmë është bërë objekt i një tatuazhi. Përveç kësaj, Chiellini është zgjedhur edhe nga artisti i rrugës Roberto Bocco, i cili ka portretizuar skenën, me mbishkrimin: “Zoti ruaj Chiellinin”. Një mesazh i thjeshtë për të falenderuar kapitenin e ekipit kombëtar për netët magjike.