Kreu i opozitës së bashkuar, Lulzim Basha, deklaroi para gazetarëve se protestat e opozitës dhe të qytetarëve shqiptarë do të vazhdojnë. Basha tha se për momentin është me rëndësi t’i jepet një shans vendit dhe shqiptarëve për të zgjidhur krizën politike dhe për të marrë “PO” nga Evropa për negociatat. Sipas tij, nuk ka asnjë tërheqje apo dorëheqje nga protestat, pasi janë një nga mjetet më të fuqishme që opozita ka.
“Protestat e qytetarëve janë një nga mjetet më të fuqishme që opozita ka dhe i ka zhvilluar në mënyrën më intensive të këtyre 30 viteve. Nuk ka dhe as do të ketë ndonjë skenar tërheqjeje apo dorëheqjeje nga protestat. Por, sot e gjithë vëmendja është t’i japim një shans vendit dhe shqiptarëve për të zgjidhur këtë krizë politike dhe për këtë arsye ne kemi përgatitur një plan kombëtar masash kundër krizës dhe një platformë për Shqipërinë si Evropa. Jam i bindur se duke vlerësuar vizionin dhe planin tonë për ta nxjerrë vendin nga kriza mbështetja e shqiptarëve do jetë edhe më e fuqishme, për ta çuar deri në fund betejën tonë”, u shpreh Basha.
Pyetjes nëse është i gatshëm për një marrëveshje për zgjidhjen e krizës, kreu i opozitës iu përgjigj:
Ne jemi të qartë në parashtrimet, kemi pranuar ofertën e ndërkombëtare më 9 qershor për zgjidhjen e krizës, por ishte Rama që vendosi interesat e veta, të Tom Doshit, të Dako, Kajmakut, të Avdylajve, para interesave të shqiptarëve. Gatishmërinë që shprehëm më 9 qershor, ja kam rikonfirmuar ndërkombëtarëve në mënyrë të vazhdueshme.
Më tej, ai iu bëri thirrje të gjithë socialistëve t’i hapin rrugë zgjidhjes së krizës, duke u shprehur se përgjegjësi kryesor është vetë Edi Rama.
“I bëj thirrje të gjithë socialistëve të kuptojnë ku ndodhet vendi dhe t’i hapin rrugë zgjidhjes së krizës. Ne jemi gati të japim kontributin tonë. Përgjegjësinë për këtë gjendje e ka vetëm një njeri, Edi Rama.
PD ka qenë dhe është e hapur për t’i dhënë fund krizës politike, t’i japë të drejtë shqiptarëve të zgjedhë në mënyrë të ndershme e të lirë”, përfundoi Basha.