Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha thotë se s’ka ndërmend të tërheqë nga lista e kandidatëve të Elbasanit, Luçiano Boçin, pas përplasjes fizike të këtij të fundit me biznesmenin e njohur Gjergj Luca.
I pyetur lidhur me këtë, Basha tha se Edi Rama “s’ka moral të kërkojë heqjen e kandidatëve të PD-së, pasi është ai që e ka mbushur parlamentin me kriminelë”.
Ndërsa biznesmenin Luca, Basha e ironizoi duke thënë se “është i lidhur me krimin dhe s’mbijeton dot pa regjimi”.
“Nuk ka moral Edi Rama që e ka mbushur Parlamentin me kriminelë, të thotë që janë viktima të krimit, ata e mushën parlamentin me kriminelë, ne bëmë dekriminalizimin. Nuk ka moral Edi Rama të më kërkojë mua, unë kam hequr kandidatë në të kaluarën dhe janë verifikuar. Ky është standarti im. Ndërsa ata biznesmenë që duan të punojnë me djersën e ballit, e dinë fare mirë që aleanca me krimin i dëmton. 5 njerëz që i thonë vetes biznesmenë, por pa mbështetjen e regjimit nuk mbijetojnë dot”, deklaroi Basha.