Një tërmet me magnitudë 5.2 ballë goditi zonën detare pranë Samosit të Greqisë të mërkurën, sipas një njoftimi nga Instituti Gjeodinamik i Observatorit Kombëtar të Athinës. Epiqendra u raportua 17 kilometra në jugperëndim të qytetit të Pythagoreio, tha Instituti. Thellësia ishte 12.8 kilometra. Tërmeti ndodhi rreth orës 13:10.
Ende nuk raportohet për dëme apo viktima. Ndërsa edhe një tërmet me magnitudë 4.7 ballë Righter kishte goditur ishullin sot pak më herët.
Kryebashkiaku i Samosit, Alexandros Lymberis tha se ajo që ka shkaktuar shqetësim te banorët është fakti se tërmeti i dytë ka qenë me intensitet më të madh se i pari.
“Ajo që na shqetëson në këtë moment është fakti se tërmeti i dytë ka qenë më i fortë se i pari. Normalisht, i dyti duhet të ishte më pak intensiv për t’u konsideruar si pasgoditje, por nuk ndodhi kështu. Urojmë që tërmeti i dytë të ishte kryesori dhe çdo gjë të ketë përfunduar këtu. Deri më tani nuk është raportuar për dëme, por së bashku me shërbimin teknik do të inspektojmë pasojat. Banorët ishin të frikësuar dhe të shqetësuar, pasi nuk kanë kaluar shumë vite nga tërmeti vdekjeprurës i vitit 2020”.
Presidenti i Organizatës së Planifikimit dhe Mbrojtjes Antisizmike dhe profesori i Gjeologjisë, Efthymios Lekkas , foli për dy tërmetet e ndodhura në Samos brenda pak minutash, përkatësisht 4.7 dhe 5.2 ballë.
“Kam kontaktuar me kryebashkiakun, janë dhënë udhëzime për procedurat e nevojshme”, tha Lekkas duke folur për SKAI-n dhe tha se “nuk e dimë nëse ka pasoja për dëmtime apo lëndime”.
Ai tha se dy tërmetet e reja nuk janë të lidhura me tërmetet e dy viteve më parë. “Ne jemi ende të kujdesshëm”, vuri në dukje Efthymios Lekkas.
Në tetor 2020, një tërmet që goditi ishullin lindor grek të Egjeut, Samos dhe bregdetin e afërt turk, vrau dy njerëz në ishull dhe të paktën shtatëdhjetë e pesë njerëz në Turqi.
Vendi ndodhet në një zonë kufitare gjeologjike komplekse në Mesdheun lindor midis Pllakave Afrikane dhe Euroaziatike.
Pjesa veriore e Greqisë shtrihet në Pllakën Euroaziatike, ndërsa pjesa jugore shtrihet në Pllakën e Detit Egje.