Komisioni i Reformës Territoriale do të nisë nga puna sërish në fillim të javës që vjen. Kështu prej orës 09:00 të mëngjesit të së hënës, do të jenë ekspertët e opozitës, që do të publikojnë raportin e tyre final.
Grupimi i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, ka bërë tashmë të ditur se do të propozojë rritjen e numrit të bashkive nga 61 në 92 bashki dhe uljen e numrit të qarqeve dhe nga 12 në 6 rajone. Ndërsa Partia Demokratike zyrtare kërkon 95 bashki dhe 5 rajone.
Partia Socialiste “rrugën e negocimit” e ka hapur vetëm për grupinin që mbështëet Enkelejd Alibeaj. Mazhoranca së funbdmi ka artikuluar së fundi se mund të lëvizë vetëm me një numër të vogël bashkish, nga qëndrimi i saj i parë të mos prekur ndarjen me 61 të tilla, që është aktualisht.
Mbetet ende e paqartë nëse harta e re territoriale do të jetë e vlefshme për zgjedhjet lokale të vitit 2023 apo për të 2027-ës, pasi koha për miratimin e tyre është në limite.
Po të hënën në orën 15:00’ vijon punën edhe Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore. Pasi u mandatua në fillim të shkurtit, komisioni që bashkëdrejtohet nga Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj zhvilloi në qershor mbledhjen e parë, në gusht i mbaroi mandati 6 mujor, të cilin kuvendi në fillim të shtatorit e zgjati dhe me gjashtë muaj. Në mbledhjen e së hënës pritet që anëtarët e këtij komisioni të përcaktojnë kalendarin e punës dhe seancat dëgjimore.
Ndryshe nga “Territorialja”, zgjedhorja nuk ka presionin e kohës, pasi ndryshimet ligjore pritet të implementohen në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Pasdite, prej orës 17:00 Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare. Deputetët janë të thirrur të ligjërojnë nga foltorja e kuvendit, problematikat e zonave të tyre pas javës së gjelbër që duhet ta kenë shfrytëzuar për takime me elektoratin.
Partia Socialiste dhe ajo Demokratike janë rifutur në debat përsa i përket Reformës Territoriale. Kjo pasi selia rozë i qëndron ndarjes aktuale territorial të Shqipërisë, ndërsa ajo blu ka bërë një tjetër propozim. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se kanë arritur në përfundimin se PS i qëndron ndarjes aktuale me 61 bashki dhe 12 qarqe.
Ndërsa, Grupi i deputetëve të Partisë Demokratike që mbështesin Enkelejd Alibeajn propozuan hartë të re me 92 bashki dhe 6 rajone. Nga 12 qarqe, Grupi i PD propozon rigrupimin në 6 rajone, që përmbledhin Rajonin Tiranë-Durrës; Rajoni Shkodër-Lezhë; Rajonin Kukës-Dibër; Rajonin Gjirokastër-Berat; Rajonin Fier-Vlorë dhe Rajonin Elbasan-Korçë. Disa nga bashkitë që shtohen janë si më poshtë: Bashkia Sukth; Bashkia Fushë-Krujë; Bashkia Farkë; Bashkia Ndroq, ndërkohë Paskuqani i bashkohet Bashkisë Tiranë dhe Zallherri i bashkohet Bashkisë Kamëz; Bashkia Maqellar, Kastriot dhe Lurë në qarkun Dibër; Bashkia Shpirag në qarkun Berat; Bashkia Dukagjin dhe Velipojë në Qarkun Shkodër; Bashkia Shpat dhe Bashkia Bardashesh në qarkun Elbasan; Bashkitë Milot, Orosh, Zadrimë dhe Bregu i Matës në qarkun Lezhë; Bashkitë Levan, Dushk, Ardenicë dhe Fratër në qarkun Fier; Bashkitë Shishtavec dhe Bicaj në qarkun Kukës; Bashkitë Leskovik, Voskopoj, Drenovë, Pojani dhe Stravë në qarkun Korçë; Bashkitë Orikum, Ksamil, Novosel dhe Kote në qarkun Vlorë.