Terrorizmi prangos 10 persona, mes tyre një imam dhe një llogaritar

0
6

Policia italiane ka ekzekutuar në orët e para të mëngjesit urdhër-arreste për 10 persona të dyshuar për financimin e terrorizmit. Sipas mediave italiane, tetë janë me origjinë tuniziane dhe dy janë italianë.

Mes të arrestuarve është imami i xhamisë Dar Assalam në  qytetin e Martinsicuro në provincën e Teramos, dhe një llogaritar italian. Të gjithë janë nën hetim për krime tatimore dhe pastrim parash, me qëllim financimin e terrorizmit.

Këta persona dyshohen se “raportuan vazhdimisht llogari false në kompani të ndryshme për të kursyer shuma të konsiderueshme parash, pjesërisht përmes evazionit fiskal,” tha prokuroria e Aquila në Abruzzo.

Paratë u përdorën gjithashtu për të “financuar aktivitetet në lidhje me organizatën al-Nusra”, ish-krahu i al-Kaedës në Siri, sipas të njëjtit burim.

Një pjesë e parave u caktuan gjithashtu për imamët në Itali, “njëri prej të cilëve u dënua përfundimisht për krijimin e një organizate kriminale me qëllim kryerjen e terrorizmit ndërkombëtar”, shtoi prokuroria.

Prokuroria italiane thotë se janë sekuestruar mallra, para dhe pasuri të paluajtshme në vlerën e më shumë se një milion euro.