Thaçi: Do ta ndryshoj Kushtetutën, Lugina i bashkohet Kosovës

0
25
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se do të ketë korrigjim të kufirit me Serbinë dhe bashkëngjitje të Luginës së Preshevës me Kosovën. Ka thënë se ky është vizioni i tij dhe do të punojë për të ndryshuar Kushtetutën për ta bërë pjesë të Kosovës edhe Preshevën, Bujanocin e Medvegjën.

“Korrigjimi i kufirit, po. Me një shtet të pavarur dhe sovran të Kosovës. Me përfshirjen e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën. Do të punoj për të ndryshuar Kushtetutën. Ndryshimi i Kushtetutës nuk është fundi i botës”, ka thënë Thaçi nga Prizreni.

Shefi i Shtetit nuk është marrë me akuzat e Ramush Haradinajt se po e mashtron popullin kur po flet për ndryshim të kufijve. Sidoqoftë, Thaçi ka thënë se me Serbinë s’do të ketë shkëmbim të territoreve dhe as asociacion të komunave serbe me kompetenca ekzekutive. Ka kundërshtuar edhe idenë për një Union Ballkanik.

“Ideja e shkëmbimit të territoreve është ide e keqe. Është pazar. Nuk do të lejoj të ndodh. Me asnjë çmim. Por, dua të potencoj gjithashtu, jo që do të shtrohet në tavolinë, por s’do të lejoj as që të diskutojë dikush për pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ai.

Kreu i Kosovës ka thënë se kushdo që nuk respekton këshillat amerikane është në anën e kundërt të historisë.

“Respektimi i këshillave të SHBA’së thekson qartë drejtimin tonë të drejtë si vend e shoqëri. Anën e drejt të historisë. Çdo kryeneçësi tjetër është ana e gabuar e historisë”, ka shtuar ai.

 

Zjarr Tv Ad