Thellohet deficiti në energji, bie prodhimi e rritet konsumi

0
487
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga suficit vitin e kaluar prodhimi i energjisë elektrike në raport me konsumin ka pësuar një deficit të fortë në gjashtë mujorin e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave të INSTAT për bilancin e energjisë elektrike në gjashtëmujorin  prodhimi i energjisë elektrike në totale nga HEC-et publikë dhe ato private ka pësuar një rënie vjetore me 25.9 për qind, teksa konsumi është rritur me 8 për qind si pasojë e rikthimit në punë të kompanive të mëdha të industrisë ARMO dhe Kurum.

Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje), në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017, rezultoi me rritje duke arritur vlerën 1.080 GWh nga 776 GWh në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016. Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) arriti 361 GWh në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017 nga 1.289 GWh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike është 3.012 GWh nga 4.066 GWh energji të prodhuar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016.

Me rënie të prodhimit të energjisë elektrike, për gjashtëmujorin e parë të vitit 2017, kanë rezultuar të gjithë prodhuesit e energjisë, si hidrocentralet publike (-26,9 për qind) dhe hidrocentralet private dhe koncensionare (-23,8 për qind).

Rënia e prodhimit të energjisë elektrike në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017 ka ndikuar në rritjen e importeve dhe rënien e eksporteve të energjisë elektrike. Importet bruto (energji në marrje) u rritën me 39,2 për qind ndërsa sasia e eksporteve bruto (energji në dhënie) u ul me 72,0 pë rqind, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2016.

 HEC-et private  kontribuojnë me 32% të prodhimit

Hidrocentralet publike kanë realizuar 67,4 për qind të prodhimit të energjisë elektrike për gjashtëmujorin e parë të vitit 2017 nga 68,4 për qind që realizuan në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016. Përqindja që zënë hidrocentralet private dhe koncensionare në prodhimin neto vendas të energjisë elektrike është 32,6 për qind nga 31,7 për qind që zinte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Humbjet rënie 1.6%

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017, humbjet në rrjet kanë rënë me 1,6 për qind. Ndikim në këtë rënie kanë patur uljet e humbjeve teknike në shpërndarje të cilat përbëjnë 61,7 për qind të humbjeve gjithsej në rrjet si edhe rënia e humbjeve dhe konsumit vetjak në transmetim që përbën 8,0 për qind të humbjeve gjithsej në rrjet.

Në këtë periudhë, humbjet në rrjet janë 1.021 GWh nga 1.037 GWh që ishin në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016. Humbjet në shpërndarje janë rritur me 0,8 për qind krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar si rrjedhojë e rritjes së humbjeve jo teknike në shpërndarje prej 21,5 për qind.

Humbjet në transmetim, ndryshe nga gjashtëmujorët e viteve të kaluara, këtë gjashtëmujor kanë rezultuar me rënie. Humbjet në transmetim ranë me 23,1 për qind duke përbërë 8,0 për qind të humbjeve në rrjet nga 10,2 për qind të humbjeve gjithsej në rrjet që zinin në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016.

Konsumi rritje me 7.8%

Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017, u rrit me 7,8 përqind duke arritur vlerën 2.710 GWh nga 2.515 GWh që ishte në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016.

Ndikimin më të madh në rritjen e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët, e kanë dhënë konsumatorët jo familjarë të cilët kontribuuan me +7,0 pikë përqindje në gjashtëmujorin e parë të 2017 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016 përkundrejt kontributit prej +0,8 pikë përqindje të energjisë së konsumuar nga konsumatorët familjarë.

Marrë nga Monitor

Zjarr Tv Ad