Tirana do të mikpresë në vjeshtë Samitin 17 + 1, një nismë e Republikës Popullore të Kinës, e cila synon të rrisë dhe zgjerojë bashkëpunimin me vendet e Evropës Juglindore dhe Lindore në fushën e investimeve, transportit, financave, shkencës, arsimit dhe kulturës. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, gjatë vizitës zyrtare në Kinë, ku u prit në një takim nga kryetari i Bashkisë së Pekinit, Chen Jining, theksoi se u vendosën piketat për organizimin e këtij Samiti të madh, që e vendos Tiranën në hartë si një nga vendet dhe kryeqytetet që mund të organizojnë aktivitete të këtyre përmasave.
“Kishim 24 orë intensive në Pekin, ku tashmë Tirana, Shqipëria, është përzgjedhur si vendi mikpritës për të gjitha vendet në procesin e bashkëpunimit me Kinën, ose siç quhet ndryshe Kina +17, me shtimin e Greqisë. Më vjen mirë që në tetor, 17 kryetarët e kryeqyteteve të Evropës Juglindore dhe Lindore do të vijnë në Tiranë për të vijuar këtë bashkëpunim me Kinën. Jam shumë i lumtur që në takimin me kryetarin e Bashkisë së Pekinit, kryeqytetit më të madh sot në botë, vendosim disa pika për organizimin e këtij samiti të madh për Tiranën, që sigurisht është një privilegj”, tha Veliaj.
Në vizitën në Republikën Popullore të Kinës, kryebashkiaku Veliaj vizitoi disa nga fabrikat dhe nga koncensionarët e transportit publik elektrik. Ai siguroi se Tirana do të revolucionarizojë transportin publik, teksa theksoi se së shpejti do të mbërrijnë autobusët elektrikë, që do të qarkullojnë në rrugët e kryeqytetit.
“Jam po ashtu shumë entuziast për mënyrën se si Kina po udhëheq disa nga inovacionet më të reja, kur vjen puna tek transporti publik. Ashtu siç kemi bërë me taksitë, ku një pjesë e madhe e flotës tashmë ka kaluar në elektrike, ashtu do të fillojmë të bëjmë edhe me autobusët. Disa autobusë i kemi porositur, të tjerë jemi në proces porositje”, tha ai, teksa shtoi se ky bashkëpunim do të vijojë edhe mandatin tjetër në shumë fusha të tjera.
“Bashkëpunimi me kompanitë kineze, por edhe me institucionet financiare kineze na vendos në një rrugë të mbarë, që në mandatin tjetër, atë që realizuam në Tiranë për gjelbërimin, pastrimin dhe transportin elektrik të taksive, ta avancojmë edhe në disa fusha të tjera, sidomos në transportin publik me autobusë dhe dy terminalet e reja që do të ndërtojmë në Tiranë. Duam që kjo të shoqërohet edhe me një rrjet të karikuesve elektrikë, që si për autobusët, si për taksitë, apo edhe për makinat personale; pra të investojmë në përdorimin e energjisë së rinovueshme”, deklaroi Veliaj.
Falë përmirësimit të infrastrukturës dhe të shërbimeve, në Tiranë është rritur edhe numri i turistëve nga Kina. Kryeqyteti shqiptar është kthyer tashmë edhe në një spirancë e të gjithë agjencive turistike kineze për Ballkanin. “Mezi pres që edhe këtë vit, të shohim një rritje të numrit të turistëve kinezë. Një nga platformat tona të bashkëpunimit ka qenë përdorimi i Tiranës si një pikë starti, si një spirancë e gjithë agjencive turistike kineze për Ballkanin dhe besoj që më e mira është përpara. Në qoftë se në katër vite, realisht e kemi transformuar Tiranën, ju garantoj që në katër vitet e ardhshme gjëra më të mira do të vijnë”, theksoi Veliaj.
Duke vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, kreu i Bashkisë vlerësoi edhe komunitetin kinez dhe numrin në rritje të sipërmarrësve nga Kina që po zgjedhin vendin tonë për të investuar. “Jam sot shumë krenar për mënyrën se si punon ambasada jonë këtu, për shumë prej shkëmbimeve të të rinjve shqiptarë dhe kinezë e anasjelltas, ku po mësohet gjuha, kultura. Unë besoj që një Tiranë e cila sot tashmë e ka një komunitet kinez jashtëzakonisht sipërmarrës, është gjithmonë e më shumë një vend më atraktiv për investimet”, deklaroi Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës pati edhe një takim të veçantë me studentë dhe komunitetin shqiptar që jeton dhe punon në Kinë.