Ditën e sotme u krye ekstradimi nga Tirana drejt Gjermanisë, i shtetasit K. Z., 24 vjeç, lindur në Dushanbe, Taxhikistan.
Ky shtetas është kapur më datë 29.04.2020, nga Drejtoria e Antiterrorit, Tiranë, pas një punë investigative dhe falë shkëmbimit me homologët e antiterrorit në Gjermani.
“Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, Gjermani, pasi autoritetet gjyqësore të Gjykatës Federale në Karlsruhe, me vendim Nr. 2 BGs 245/20 datë 21.04.2020, kanë lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar për veprën penale “Anëtar i një organizate të huaj terroriste” parashikuar nga Kodi Penal gjerman.” – njofton policia.
Ky shtetas, së bashku me personat e tjerë të akuzuar, i udhëhequr nga një besim radikal fondamentalist, ngriti një qelizë në territorin e Republikës Federale të Gjermanisë.
Kjo qelizë kishte si qëllim që të ndërmerrte “xhihad” në emër të “IS”, në kuptimin e një lufte të armatosur kundër “jobesimtarëve”, në Gjermani dhe jashtë saj, me qëllim kryerjen e sulmeve në Gjermani ose Taxhikistan duke përdorur armë zjarri dhe eksplozivë.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Wiesbaden/Gjermani u bë i mundur ekstradimi i tij drejt Gjermanisë.