Tomorri: Rrezik për asgjësimin e portit më të madh tregtar në vend

0
18
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Gazetari Kloduan Tomorri, duke folur për projektin e qeverisë për Portin e Durrësit, tha se nuk ka vend bregdetar që të hedh aq shumë beton rreth e rrotull, ndërkohë që 127.600 apartamente që do ndërtohen dhe shiten, do ketë njësi tregtare, biznese dhe dy hotele me 850 dhoma.

Nga studio e lajmeve në MCN Tv, ai tha se nga dokumentet që dihen deri tani financuese rezulton kompania “Eagles Hills” dhe sipas dokumenteve pronari i kësaj kompania del Mohamed Alabbar dhe familjarët e tij.

Sipas tij, kompania që qeveria po hyn në marrëveshje zotërohet  100% nga familja Alabar.

“Kompania e dytë është një kompani edhe kjo e regjistruar në Dubai e cila nuk ka publikisht pronarë të shpallur, e cila është në rolin e garantueses financiare të projektit.

Është kompania NSHMI Development e cila merret me shitje pronash në Dubai.

Por se kush janë pronarët e saj dhe kapacitetet financiare, këtë informacion nuk e kemi. Qeveria thotë se ne i kemi të dhënat por janë konfidenciale.

Qeveria po bën marrëveshje me një kompani që zotërohet nga një familje dhe nga një kompani tjetër që deputetët që do miratojnë marrëveshjen nuk e dinë se kush e ka”.

Lidhur me negociatat, Tomorri deklaroi se kanë qenë sekrete dhe se ka pasur vizita të ministrave të qeverisë shqiptare dhe se ministrja Belinda Balluku është personi kyç i angazhuar në negociatat e këtij projekti.

“Ka udhëtuar disa herë në Dubai për të negociuar me zotin Alabbar dhe si rezultat i këtyre negociatave, produkti është kjo marrëveshje.

Qeveria tha se nuk mund t’i bëjmë transparente negociatat se binim dakord për diçka dhe ndryshohej më tej dhe nuk do kishte koherencë.

Partneriteti në Portin e Durrësi i resortit që do ndërtohet aty, do jetë në masën 33% për qeverinë shqiptare dhe partneri do ketë 67%.

Kjo do të thotë se në fund të realizimit të gjithë projektit, qeveria do marrë 33% të fitimeve të gjeneruara nga projekti.

Sipas përllogaritjeve të bëra janë diku te 280 milionë euro që do marrë qeveria në rastin më të mirë.

Qeveria thotë se do arkëtojë para nga taksat, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi dividentin, TVSH etj., çka pretendon se e çon fitimin mbi 1 miliardë e 69 milionë euro.

Po kjo deklaratë e qeverisë është e pa mbështetur në planin e biznesit dhe e pa dokumentuar”.

Sa i takon anulimit nga Bashkimi Europian të një granti prej 28 milionë eurosh për zgjerimin e dy kalatave në portin tregtar, Tomorri tha se çdo projekt ekstra ligjor, nuk ka asnjëherë miratimin e BE.

“Direktivat e Bashkimit Europian qoftë për prokurimet publike, regjimin fiskal dhe ndihmën shtetërore janë të qarta, nuk zhvillon procedurë prokurimi pa garë dhe nuk mund të japësh privilegje fiskale për kompani private. Ndihma shtetërore jepet në raste specifike.

Ky është një ligj special, njëlloj si ligji i Teatrit me kompaninë ‘Fusha’. Te porti i Durrësit nuk ka patur deklarim të qartë publik.

Ka patur deklarime se ka kundërshtime për projektin, por pa thënë se është ndesh me MSA.

Duket qartë projekt ekstra-ligjor dhe jashtë praktikës së mirë. Sa i takon tërheqjes nga financimi, janë 62 milionë euro dhe jo 28.

Se ka qenë një paketë me kredi të buta dhe grante, të parashikuara për investime të mëtejshme në Portin e Durrësit dhe këto janë financime nga të cilat qeveria ka hequr dorë, kur lindi ideja për ndërtimin e portit turistik dhe asgjësimin e portit tregtar”.

Ndërsa shumë pikëpyetje ka edhe për portin e ri tregtar që do ndërtohet në Porto Romano dhe sa rrezikon të përsëritet historia e Portit të Karpenit, Tomorri deklaroi se Porti i Karpenit, ishte një koncension për ankorimin e jahteve me 700 vende, por rezultoi flluskë sapuni.

“Në rastin e portit tregtar nuk kemi koncension por është qeveria që thotë se portin tregtar do e ndërtojmë ne pasi të shkatërrojmë Portin e Durrësit.

Ka kakofoni shifrash dhe mungesë transparence, qeveria ka pajtuar një kompani holandeze për portin e ri tregtar dhe i ka paguar 9 milionë euro.

Ka patur një projekt i cili ka rrjedhur këtë verë në media, sipas të cilit kostoja e portit të ri do ishte 2 miliardë euro, por kohëve të fundit qeveria po përdor shifra të reja, drejtori i Portit Durrës Pirro Vëngu, thotë se porti i ri do kushtojë nga 320-340 milionë euro.

Për portin e ri tregtar ka mungesë të qartë transparence dhe e gjitha kjo duket si aventurë. Por ku janë këto para? Qeveria shqiptare nuk ka para të lira për të ndërtuar porte.

Ku do të gjenden dhe si do të financohet? Ta zëmë fatura është 500 milionë euro për ndërtimin e portit të ri, ka risk të madh që Shqipëria të mbetet pa port, të asgjësohet porti më i madh tregtar i vendit.

Ajo që do të ndodhte, një pjesë e aktivitetit të vejë te porti privat i Kastratit në Porto Romano, që është shumë i vogël, dhe pjesa tjetër do orientohen në portet e Malit të Zi dhe Selanikut, me pasoja të mëdha, se porti i Durrësit është strategjik për vendin, por i shërben edhe Kosovës dhe Maqedonisë.

Duke qenë se do furnizoheshim nga vende të tjera, kostoja për çdo produkt apo mall duke do të rritet”.

Zjarr Tv Ad