Trafik droge nga Shqipëria në Kosovë/Zbulohen 6 kg marihuanë në motorrin e makinës

0
31

Një burrë E.l. 54 vjeç u arrestua sot nga Policia e Kosovës, në doganën e Vërmicës, pasi tentoi të hynte në këtë shtet nga Shqipëria me 6 kg marihuanë të fshehur në motorrin e makinës së tij “Seat”.

Policia e Kosovës njoftoi se arrestimi ndodhi në orën 11:20.

Zyrtarët kufitarë në pikën kufitare Vërmicë, gjatë regjistrimit në sistem të automjetit “Seat” me targa lokale që ishte duke hyrë nga Shqipëria për në Kosovë, kanë vendosur ta selektojnë për kontroll të detajuar në vijën e dytë të kontrollit.

Gjatë kontrollimit të hollësishëm të ushtruar nga ana e zyrtarëve policor në bashkëpunim dhe koordinim me oficerët doganorë, në pjesën e përparme tek motori i automjetit janë gjetur 15 qese najloni të mbushura me substancë të dyshuara narkotike e llojit marihuanë, me peshë e cila dyshohet të jetë prej rreth 6 kg.

Në lidhje me rastin është njoftuar Drejtoria për Hetimin e trafikimit me narkotik, njësia e Forenzikes, dhe njësitet tjera relevante për trajtim dhe hetim të mëtejme të rastit.

Me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Themelore DKR Prizren, është iniciuar rasti për veprën penale “Blerja, shpërndarja, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e substancave narkotike dhe psikotrope ose analoge”, ndaj të dyshuarit E.L. viti i lindjes 1966.

Të gjitha veprimet e mëtejme ndaj personit të dyshuar, do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorin kompetent.