Një kamarier 17 vjeçar ka humbur jetën tragjikisht në qytetin e Sarandës, në vendin e punës, pasi kavoja e ashensorit është këputur dhe e ka zënë nën vete. Ngjarja ka ndodhur në lokalin e njohur të natës në zonën bregdetare “Club Orange”.
Menjëherë pas vdekjes së të riut, në orën 01.15 pas mesante, Policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka arrestuar personin që kishte montuar ashensorin, Lulzim Allkushi. Gjithashtu, është shpallur në kërkim dhe pronari i “Club Orange”, shtetasi Spiro Iljadhi.
“Rreth orës 01:15 minuta të mëngjesit të sotëm, në lagjen “Nr. 1”, Sarandë, në lokalin në pronësi të shtetasit S. I., është këputur kavoja e ashensorit që përdorej kryesisht për furnizimin e lokalit, duke zënë poshtë shtetasin A. D., 17 vjeç, (ndihmës/kamarier në këtë lokal). Për pasojë, 17-vjeçari ka humbur jetën.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se 43-vjeçari i arrestuar kishte montuar ashensorin e lokalit ndërsa 37-vjeçari i shpallur në kërkim është pronari i lokalit dhe vijon puna intensive për kapjen e tij”, thuhet në deklaratën zyrtare.