Mohamed Alabbar, drejtuesi i grupit EMAAR ka prezantuar pak ditë më parë projektin e tij për transforimin e Durrësit. Në një intervistë për gazetarin Drini Zeqo në emisionin “Opinion”, Alabbar shprehet ndër të tjera se për projektin në fjalë punimet priten të nisin brenda tre muajve, ndërsa çmimet, pavarësisht standardit të lartë të ndërtimeve do të mbeten tek çmimet shqiptare.
Pjesë nga intervista
Pushuesit shqiptarë ndihen mirë kur shkojnë në Dubai, por tani do të kenë një pjesëz të Dubait në Durrës. Por kur do të mund ta shohin apo ta ndiejnë Dubain e vogël në Durrës?
Mendojmë se faza e parë e ndërtimeve, për të cilat jemi duke u përgatitur ndërkohë që flasim, do të fillojë brenda 3 muajve. Për t’u treguar i sinqertë me ju, ne morëm pjesë në këtë projekt, sepse qeveria vendosi që porti të tjetërsohej dhe ne u përfshimë sepse ishte vendimi i qeverisë që të zhvendosej porti. Do të jetë një kënaqësi për ne që të fillojmë brenda një periudhe 3-4 mujore, ku do të hidhen themelet e ndërtesave të reja.
Ju keni inxhinerët dhe arkitektët më të mirë në botë dhe doja të dija, a është një terren i vështirë aty ku do të ndërtohet porti i ri i Durrësit? Si e gjykoni?
Nuk ka asgjë të vështirë. Vështirësia e vetme është te pastrimi, sepse porti aktual ka qenë aty prej vitesh tashmë dhe çështja mjedisore është shumë kritike. Ne do të ndërtojmë një plazh të ri.
Pra, do ta ndërtoni nga e para?
Jemi të detyruar ta bëjmë, sepse porti është shumë i vjetër. Duhet një infrastrukturë e re, duhet pastruar mjedisi, duhet pastruar plazhi. Dhe çështja e pastrimit është mjaft e rëndësishme për të gjithë ne.
Të gjithë janë duke pyetur për çmimet e apartamenteve, ndërtesave, hoteleve rreth portit. A do të ketë një ndikim në çmimet e shitjeve aktuale në Shqipëri?
Kur e nisa këtë projekt, nuk e njihja mjaft mirë Shqipërinë. Por duke shpenzuar kohë këtu kam dalë në përfundimin që duhet të ndërtojmë zonën më të mirë të Adriatikut, ndoshta edhe të Mesdheut. E dini pse? Sepse nuk kemi nga çfarë të stepemi, nuk kemi pse të kemi turp nga më e mira dhe duhet të jemi më të mirët në çdo gjë: në pallate, hotele, marinë, në parqe, në aktivitetet e fëmijëve, plazhe, restorante, dhe në qendra tregtare. Me çfarë çmimi duhen shitur? Me çmimet aktuale të Shqipërisë, sepse jemi në Shqipëri jo në Nju Jork, prandaj duhet të fokusohemi te çmimet shqiptare. A do të kushtojë shumë cilësia e këtij vendi? Jo, ndoshta pak më shumë, por jo çmime shumë të larta, thjesht duhet t’i kushtohesh me zemër kësaj gjëje. Si përfundim, duhet të mbetemi te çmimet shqiptare.
A keni parë ndërtesa të ndryshme në Shqipëri dhe çfarë mendoni për cilësinë e tyre?
Mendoj se kemi ndërtime cilësore këtu në Shqipëri. Unë kam qenë në shtete të tjera dhe do ta shihni përmirësimin e cilësisë së ndërtimit. Këtë dukuri e kam parë në Dubai, në Egjipt, në Serbi.
A ka ndonjë ndryshim të madh mes cilësisë dhe çmimit këtu në Shqipëri?
Për mendimin tim, ne do t’ju sjellim vetëm cilësi. Është e vetmja gjë. Nëse më kërkon që të ndërtoj diçka të lirë, nuk mundem, sepse nuk di ta bëj. Ti ke besim tek unë, por kjo nuk ka pse të jetë e shtrenjtë, do të jetë me një çmim të drejtë me çmimin e tregut.
Kur mund të fillojnë shitjet në projektin tuaj të ri?
Kemi hapur fazën e regjistrimeve. Regjistrimi mund të kryhet online, por nuk e kemi promovuar shumë. Kemi dhënë shumë pak informacione. Disa broshura do të publikohen së shpejti. Besoj se do të fillojmë pas tre muajsh.
Me çfarë projektesh të tjera jeni angazhuar së fundmi?
Kemi projekte të reja në Dubai, në Egjipt, edhe në Marok jemi shumë të ngarkuar me projekte të reja. Po zgjerohemi në Serbi, kemi projekte ne Minsk, Bjellorusi. Një projekt të ri në Kroaci dhe deri tani zotërojmë 14 hotele aty dhe jemi duke u zgjeruar.
Shqiptarët kanë ndjekur disa intervista tuajat, ku ju keni folur për të gjetur një shtëpi të re në Shqipëri. E keni gjetur?
Jo, jam ende në kërkim. Kam qenë në Përmet së fundmi. Do të jetoj në jug të Shqipërisë, sepse për mendimin tim, jugu i Shqipërisë është ndër vendet më të bukura të botës. Jam befasuar. Unë udhëtoj shumë nëpër botë. Më kujton disi Kaliforninë, por Kalifornia nuk ka shumë lumenj. Bukuria e jugut të Shqipërisë është magjepsëse për mua.