Një 63-vjeçar është arrestuar nga policia e Gjirokastrës, pasi u kap duke transportuar me makinë 4 emigrantë të paligjshëm. Në kundër të operacionit të koduar “Road Guard 34” policia sekuestroi edhe një automjet dhe një aparat celular.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Shqiponja në DVP Gjirokastër, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve policore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Road Guard 34”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi A. Sh., 63 vjeç, banues në Vlorë.
Në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, Gjirokastër, shtetasi A. Sh. është kapur nga punonjësit e policisë duke transportuar me automjetin e tij, 4 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit”, thotë policia.
Ndërkohë materialet në ngarkim të shtetasit A. Sh. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.