Trau në Parkun e Divjakës, Auron Tare: Është fyese t’u kërkohet pagesë banorëve për t’u futur në habitatin e tyre

0
39
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Studiuesi Auron Tare e ka konsideruar fyese vendosjen e një tarife detyruese për t’u paguar nga banorët e zonës për t’u futur në Parkun Kombëtar të Divjakës duke e konsideruar si habitet të tyre.

Përmes një reagimi në “Facebook” pas protestës dhe përplasjeve të ashpra të zhvilluar dje midis banorëve dhe policisë për heqjen e traut, Tare renditi disa arsye si mund të shmanget përplasja mes dy palëve. Duke e konsideruar parkun kombëtar të Divjakës si pasuri kombëtare, studiuesi sugjeron gjetjen e një zgjidhja e cila mund të vijë vetëm përmes diskutimeve mes tyre. Duke sjellë në kujtesë mënyrën se si është arritur që të vendoset një pagesë hyrëse në Butrint, Tare thotë se ajo duhet të zbatohet edhe në Parkun Kombëtar të Divjakës me qëllim mirëmbajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të saj.

Studiuesi rreshtohet në mbështetje të protestuesve dhe kundër skemës që ata të paguajnë për një pasuri të tyre vetëm se është dhënë një urdhër apo veprim arrogant nga qendra e një burokrati. Sipas tij, duke ju referuar praktikës së ndjekur në Butrint, banorët duhet të përjashtohen nga taksat ndërsa fitimet duhet të shkojnë për mirëmbajtje dhe investime të ndryshme në zonë ku vetë banorët të përfitojnë nga pasuria pjesë e së cilës janë. Studiuesi këshilloi palët që të gjejnë një zgjedhje, për pajisjen e banorëve me “stiker”, mjete personale për t’u futur pa pagesë në Parkun Kombëtar ndërsa turistët duhet të paguajnë një tarifë modeste për të krijuar të ardhura për investime publike në dobi të komunitetit. Sipas Auron Tares, ata qe e kanë mbrojtur këtë zonë nuk mund të privohen nga ajo me taksë.

AURON TARE

Për një “stiker”. Si mund të shmanget një përplasje e padobishme me banorët e Parkut Kombëtar të Divjakës. Nga Bostoni i zymtë dhe me shi po shikoja sot pamje të përplasjeve të banorëve me Policinë për një çështje që në thelb është e drejtë nga të dyja palët “ndërluftuese”, banorët lokalë dhe institucioni që ruan dhe mbron Parkun Kombëtar. E para, Parku Kombëtar i Divjakës është një aset i rëndësishëm lokal. Për këtë arsye, miratimi i banorëve për çdo akt që kryhet në këtë zonë është tejet i rëndësishëm.

Si person që ka punuar për të krijuar një Park Kombëtar, sot shumë të suksesshëm, e di nga përvoja e gjatë se çdo veprim arrogant i ardhur nga “qendra” kushdo qoftë ajo nuk mund të ketë jetëgjatësi në terren. Banorët lokalë janë kyçi i suksesit të çdo veprimi dhe “modernizimi” në të tilla zona. Si pjesë e peizazhit historik të këtij parku është fyese që banorëve lokalë t’u kërkohet pagesë për t’u futur në një zonë që historikisht ka qenë pjesë e habitatit të tyre.

Pra, jam 100 për qind me banorët të cilët refuzojnë të paguajnë atë “taksë” për të hyrë në një habitat që u përket atyre. Por, të kthehemi te çështja për të cilën banorët protestojnë, a duhet të ketë një pagesë për të hyrë në zonën Park Kombëtar. Si personi që kam futur konceptin e pagesës në Parkun Kombëtar të Butrintit them që po. Një pagesë është më se e detyrueshme për çdo vizitor që kërkon të vizitojë këtë zonë. Por, si zgjidhet ky konflikt midis atyre që e konsiderojnë veten pjesë të habitatit të Parkut dhe institucionit që ka detyrim ligjor t’i mirëmbajë ato?

PËRVOJA IME NË BUTRINT

Ideja e një pagese për të hyrë në Park u diskutua në një takim të gjerë me banorët lokalë. U prezantua ideja, si dhe projektet konkrete që do të financoheshin me këtë tarifë të mbledhur nga hyrja në Park. U dëgjuan të gjitha mendimet e banorëve, të cilët me të drejtë kundërshtonin mendimin se për të kaluar në një zonë ku me vite kishin hyrë pa asnjë pengesë tashmë duhet të paguani. Kishin shumë të drejtë. Por, edhe ne kishim të drejtë, fluksi në rritje i turistëve duhej kontrolluar, si dhe duheshin gjeneruar të ardhura për projekte me interes lokal.

Zgjidhja u gjet me një kosto shumë të ulët dhe pa asnjë përplasje civile apo hatërmbetje. Parku i Butrintit prodhoi një seri “stikers” për të gjitha automjetet e banorëve të zonës, si dhe një “stiker” të veçantë për çdo banor. Në këtë mënyrë të gjithë banorët e zonës hynin dhe dilnin pa asnjë problem në territorin e Parkut. Ndërkohë, një tarifë modeste u vendos për të gjitha makinat që futeshin në Parkun e Butrinti për të vizituar Qendrën Arkeologjike. Në fund të çdo sezoni turistik, Parku i Butrintit shpërndante një fletëpalosje ku ndër të tjera tregonte shifrat e vizitorëve në Park, të ardhurat nga makinat që futeshin në Park dhe projektet e vogla që financoheshin nga ky fond. Në këtë mënyrë jo vetëm nuk pati asnjë lloj problemi me banorët, por ata shikonin me sytë e tyre se kjo tarifë po përdorej për përmirësimin e nevojave të tyre në territorin e Parkut.

Mund të them p.sh. financimin e lerave të ujit për bagëtitë, krijimin e shtigjeve turistike në Park, urat prej druri në kanalet kulluese, gardhet për të mbrojtur ullishtat nga bagëtitë etj. Shpresoj se kushdo që i lexon këto radhë dhe është banor i zonave pranë Butrintit i mban mend këto punë të vogla, por shumë të rëndësishme. I gjithë ky shpjegim për të thënë se nuk ka arsye të krijohen përplasje me banorët për një çështje të tillë kur fare mirë ata mund të jenë mbështetësit më të fortë të kauzave të mbrojtjes së parqeve. Fund i fundit kush i mbron këto Parqe, banorët lokalë apo burokrati i radhës që ulet në atë karrige ku shpesh nuk e ka idenë se për çfarë është ulur aty?

Zjarr Tv Ad