Tre “policët” që dhunuan biznesmenin, të njëjtët që grabitën 7.5 milionë lekë

0
148
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Hetuesit kanë dyshime të forta se autorët e grabitjes së biznesmenit Elton Kelmendi janë të njëjtët, që një muaj më parë grabitën 7.5 milionë lekë të Drejtorisë së Patentave.

Të dy ngjarjet kanë ndodhur në zonën e Shkozetit në Durrës dhe në të dy rastet autorët kanë qenë të kamufluar me uniformë policie dhe personat kanë qenë tre. Një fakt tjetër i përbashkët është se, autorët pas grabitjes janë larguar në drejtim të Shijakut. Forcat e Policisë kanë shoqëruar 9 persona, por deri tani nuk ka asnjë të dyshuar konkret për autorësinë e grabitjes.

Dëshmia e biznesmenit Elton Kelmendi nuk ka qenë aspak ndihmëse për hetuesit, pasi 38-vjeçari nuk ka arritur të dallojë asnjë prej tre autorëve. Pas marrjes në pyetje, 9 të shoqëruarit në Komisariatin e Policisë Durrës janë lënë të lirë. Grabitja e biznesmeni është e dyta brenda 1 muaji në Durrës, pas grabitjes së 7.5 mln lekëve në Shkozet. Edhe për këtë ngjarje ende nuk ka asnjë të arrestuar. Policia dyshon se është i njëjti grup, që, pasi bën grabitjet, largohet nga Durrësi.

Burime sqarojnë se grabitja e biznesmenit durrsak është kryer nga i njëjti grup që ka kryer edhe grabitjen e një muaji më parë në Shkozet, ku u vodhën rreth 7.5 milionë lekë të rinj nga një makinë, e cila po transportonte paratë e Drejtorisë së Patentave. Policia dyshon se grupi i grabitësve nuk është nga Durrësi, por shkon në qytetin bregdetar për të kryer grabitjet dhe më pas largohen, duke vështirësuar zbulimin e tyre.

GRABITJA

Zyrtarisht, hetuesit thonë se tre autorët e veshur si policë kanë arritur të marrin nga banesa e biznesmenit një shumë prej mbi 10 mijë euro. “Më datë 12.01.2019, në Lagjen nr.14 Shkozet, Durrës, 3 persona të maskuar dhe nën kërcënimin e armës kanë hyrë dhe kanë vjedhur banesën e shtetasit E.K. ku kanë marrë 10 800 €”, bëhet e ditur nga Policia.

E gjithë ngjarja ka ndodhur në vetëm pak minuta dhe në një orar ku temperaturat e ulëta bënin që të gjithë njerëzit të ndodheshin brenda banesave të tyre. Kjo ka bërë që asnjë prej fqinjëve të mos vërë re se çfarë po ndodhte në banesën e Elton Kelmendit. Për kapjen e autorëve, Policia ngriti disa pika kontrolli si dhe ka sekuestruar kamerat e sigurisë së disa bizneseve aty pranë për të parë lëvizjet, para dhe pas grabitjes, në mënyrë që të arrihet te gjurmët e tre autorëve.

Hetuesit dyshojnë se autorët mund të kenë pasur një bashkëpunëtor të brendshëm, të afërm të biznesmenit, që ka pasur dijeni për praninë e sasisë së madhe të parave në banesë.

UNIFORMA

Në qytetin e Durrësit grabitësit e kanë kthyer në “modë” përdorimin e uniformës së ngjashme me ato të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Një uniformë të përngjashme mund ta blesh fare lehtësisht në treg. Përveç dy ngjarjeve të ndodhura së fundmi në Shkozet, e njëjta skemë është përdorur dhe në rrëmbimin e Enver Stafukës, ngjarje e ndodhur pak vite më parë në qendër të Fushë-Krujës.

Autorët ishin të veshur me të njëjtën uniformë, madje edhe me mbishkrimin Policia. Tre persona zbritën nga makina dhe pasi i vunë prangat, e futën me forcë në makinë. Më pas, ata u larguan me shpejtësi. Janë disa arsye përse autorët e ngjarjeve kriminale vishen me këto uniforma. Në radhë të parë, ata nuk bien në sy nga banorët e zonës të cilët mendojnë se janë forca të FNSH-së, që mund të kenë ardhur për ndonjë operacion policor, por edhe për mos rënë në sy të Policisë.

Kjo e fundit në shumë raste i identifikon autorët nga çfarë mbajnë veshur. Në këto kushte, autorët vishen me këto uniforma, të cilat pasi largohen nga vendi i ngjarjes i djegin, duke mos lënë asnjë gjurmë pas.

Biznesmeni: Më goditën me qytën e pistoletës në ballë

Elton Kelmendi ka shumë vite që punon në fushën e transportit rrugor, ndërkohë që prej vitit 2009 ka hapur kompani për transport ndërkombëtar mallrash. 38-vjeçari, gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit për ngjarjen e mbrëmjes së shtunë, ku familja e tij ra pre e një grabitjeje me dhunë, ka rrëfyer se gjithçka për të ka qenë e pabesueshme. “Kam përjetuar momente të vështira.

Isha bashkë me djalin. Kishim dalë diku për të pirë një kafe dhe po ktheheshim në shtëpi. Në momentin që u afruam pranë banesës, që ndodhet pak metra larg rrugës kryesore, në errësirë u përballëm me disa persona që ishin të maskuar dhe të veshur me uniforma policie. Fillimisht, nuk po kuptoja nëse kishte ndodhur diçka në lagje apo ishin keqbërës. Por kur u afruam më afër derës kryesore të shtëpisë, ata më drejtuan armën dhe më kërkuan të mos bëja asnjë lëvizje.

Isha me djalin 7 vjeç dhe nuk kisha se si të mos bindesha. Pastaj kërkuan që t’i shoqëroja për në ambientin e brendshëm të shtëpisë. Pasi më lidhën, më goditën me qytën e pistoletës për të treguar ku kisha fshehur paratë. U tregova dhe pasi morën paratë, rreth 10 800 euro, që kisha në shtëpi, u larguan”, tregon biznesmeni. Panikun më të madh ai e ka përjetuar në momentin kur autorët e grabitjes kanë marrë djalin me vete në mënyrë që të mos i ndiqte ndërsa largoheshin.

“Në momentin që po largoheshin, ata mendonin se do t’i sulmoja ose lajmëroja Policinë dhe morën djalin për disa metra me vete si mburojë. Nuk kam dyshime tek asnjë person. Nuk arrita të identifikoja asnjë prej tyre. Shpresoj që këtë gjë ta bëjnë autoritetet. Të zbardhin këtë ngjarje dhe të vënë para drejtësisë autorët”, ka deklaruar 38-vjeçari.

Fqinjët: Erdhi i gjakosur për të kërkuar ndihmë

Biznesmeni durrsak Elton Kelmendi u dhunua nga autorët e grabitjes që i morën mbi 10 mijë euro. Autorët, teksa largoheshin nga banesa, morën telefonat celularë të biznesmenit dhe të bashkëshortes së tij në mënyrë që këta të fundit të mos lajmëronin dot Policinë. Në largim e sipër ata morën për disa metra në formë pengu djalin e tyre 7-vjeçar. Kelmendi iu drejtua fqinjëve të tij për të komunikuar me Policinë.

“Eltoni erdhi i gjakosur dhe më kërkoi telefonin. Me jep pak telefonin të flas me Policinë pasi më grabitën shtëpinë disa persona. Pasi lajmëroi Policinë, shkuam te shtëpia e tij. Na ngeli mendja gjithë natën aty. Është një ngjarje shumë e rëndë. Të vijnë në shtëpi dhe të venë armën në kokë dhe të marrin fëmijën peng. Nuk di çfarë të them, nuk jemi fare të sigurt. Nesër, pasnesër mund të jemi në viktima të ndonjë ngjarjeje të tillë”, tregon Xhevahiri, fqinji i biznesmenit Kelmendi./Panorama/

Zjarr Tv Ad