Deputeti i opozitës parlamentare, Ralf Gjoni ka reaguar me zemërim për vdekjen tragjike të 4 anëtarëve të familjes Gushi në aksidentin e sotëm në aksin Fier-Vlorë.
Përmes një postimi në facebook, Gjoni vë theksin tek problematika e rrugëve në Shqipëri, duke u shprehur se janë në mëshirën e Zotit dhe nën terrorin e “ca maskarenjve të droguar”, të cilët ngasin makina lukzoze.
Më tej ia tregon se një ngjarje e ngjashme me këtë të sotmen i ka ndodhur edhe familjes së tij dje në këtë aks, ku “tre zgjebsa rinorë”, siç shprehet edhe Gjoni tentonin me qejf të thyenin shpejtësinë e dritës prapa tyre.
Postimi i plotë i Ralf Gjonit:
Trishtim & Zemërim
Mund të kishte qenë familja e secilit prej nesh.
Ky është produkti i një shteti që nuk kontrollon dot territorin e tij!
Rrugët e Shqipërisë janë totalisht nën mëshirën e Zotit e nën terrorin e përditshëm të disa maskarenjve të droguar kriminelë e psikopatë që ende mbajnë patenta e makina luksoze.
Në fakt, policia ka frikë prej tyre dhe ndaj rrallë i ndalon për kontroll.
Dje desh na ndodhi edhe ne familjarisht e njëjta ngjarje, në po atë segment rrugor, një audi gri, shpejtësi marramendëse, tre zgjebsa ‘rinorë’ që tentonin me qejf të thyenin shpejtësinë e dritës prapa nesh.
Ka aksidente gjithandej, por nuk sheh kurrë psikopatër që sfidojnë rregullat e qarkullimit dhe vetë jetën siç ndodh në Albanistan.
Ngushëllime të thella familjarëve të viktimave.
Zero tolerancë për ata që shkaktuan këtë tragjedi.
Dhe mjaft me gjoba se nuk funksionojnë. Policia e Shtetit duhet të riorganizohet e të kryejë funksionin e saj parësor të mbrojtjes së jetës e kontrollit të territorit.
Duhen konfiskime mjetesh, arrestime, heqje patente e asnjë fije liri e lëshim për kaubojsat e autostradës.
Qeveria të zgjohet prej gjumit paszgjedhor.
Situata është realisht alarmante!